Portugalia ndalon me ligj që shefat t’u dërgojnë SMS punëtorëve pas orarit të punës

Një ndryshim në Kodin e Punës në Portugali mund të ndikojë pozitivisht në jetën e miliona punonjësve, sidomos atyre që janë të vetëpunësuar ose që punojnë nga shtëpia.

Ligji i ri i miratuar në parlamentin portugez vjen si përgjigje e një ‘shpërthimi’ të fenomenit të ‘punës nga shtëpia’ si pasojë e pandemisë së COVID-19.

Sipas rregullave të reja, eprorët mund të ndëshkohen me gjoba të majme në rast se i kontaktojnë punonjësit e tyre pas orarit të punës. Kompanive do t’u duhet gjithashtu të nisin të paguajnë për shpenzimet e punës nga shtëpia si faturat e energjisë elektrike apo edhe internetin.

Por këto amendamente të ligjit portugez të punës kanë kufizimet e tyre, ato nuk do të përfshijnë kompanitë me më pak se 10 punonjës, përcjell Klankosova.tv

Eprorët gjithashtu e kanë të ndaluar të monitorojnë të punësuarit e tyre teksa ata punojnë nga shtëpia.

Rregullat e reja janë një lajm i mirë edhe për prindërit e fëmijëve të vegjël. Tashmë, ata kanë të drejtën të punojnë nga shtëpia pa ju dashur ta kërkojnë këtë nga punëdhënësit e tyre, derisa fëmija të bëhet tetë vjeç.

Rregulla për të shmangur vetminë janë parashikuar gjithashtu në këtë ligj, duke i detyruar kompanitë të organizojnë video-konferenca me punëmarrësit të paktën çdo dy muaj.

Kategoritë
BotaLajme