Presidentët e Rusisë dhe Kinës përshëndesin marrëdhëniet shembullore midis dy vendeve

Udhëheqësit u dakorduan të vazhdojnë Traktatin e Miqësisë Kino-Ruse 2001 për 5 vjet të tjera

Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Kinës janë një “model” dhe një “shembull” i bashkëpunimit dypalësh, thanë udhëheqësit e të dy vendeve, Vladimir Putin dheXi Jinping, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një takim online me rastin e 20 vjetorit të Traktatit të Miqësisë Kino-Ruse 2001, të dy udhëheqësit ranë dakord të vazhdojnë paktin për pesë vjet të tjera.

“Traktati është bërë me të vërtetë një akt themelor ligjor ndërkombëtar që ka përcaktuar kryesisht gjendjen aktuale të marrëdhënieve ruso-kineze”, tha Putini në fjalët e tij, duke shtuar: “Traktati ka thithur përvojën pozitive shekullore të zhvillimit të marrëdhënieve midis shteteve tona, duke reflektuar plotësisht traditat e thella historike të fqinjësisë së mirë dhe miqësisë midis popullit rus dhe kinez”.

Traktati, shtohet më tej, “çimenton mungesën e pretendimeve të ndërsjella territoriale dhe për këtë arsye kufiri i përbashkët bëhet një rrip i paqes dhe miqësisë së përjetshme”.

“Duke ndjekur dokumentin dhe frymën e traktatit, ne arritëm t’i çonim marrëdhëniet ruso-kineze në një nivel të paparë, duke i bërë ato një model të bashkëpunimit ndërshtetëror në shekullin 21”, tha ai.

Putini tha se marrëveshja ishte “një themel i fortë” për zhvillimin e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik, me tregtinë midis Rusisë dhe Kinës që u rrit 14 herë që nga viti 2001.

Putini gjithashtu uroi presidentin kinez Xi për përvjetorin e ardhshëm të 100-të të Partisë Komuniste Kineze.

Presidenti Xi tha se Moska dhe Pekini kishin dhënë një shembull pozitiv të bashkëpunimit paqësor dypalësh dhe ndërkombëtar.

“Bota ka hyrë në një periudhë trazirash dhe ndryshimesh të mëdha dhe njerëzimi po përballet me rreziqe të ndryshme”, tha ai, duke shtuar: “Bashkëpunimi i ngushtë midis Rusisë dhe Kinës sjell energji pozitive për komunitetin ndërkombëtar, duke krijuar një shembull për të ndjekur në formimin e një lloji të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ne e vlerësojmë shumë këtë”.

Traktati i Miqësisë Kino-Rus i vitit 2001, i njohur gjithashtu si Traktati i Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit Miqësor midis Republikës Popullore të Kinës dhe Federatës Ruse, u nënshkrua nga ish-udhëheqësi kinez Jiang Zemin dhe Putin më 16 korrik 2001.

Kategoritë
BotaLajme