Presidenti afgan: Talebanët duhet ta kuptojnë se përdorimi i forcës nuk është rrugëzgjidhje

“Talebanët do të përballen me popullin afgan nëse preferojnë rrugën e luftës”, tha presidenti Ghani i cili shtoi se forcat afgane të sigurisë kanë fuqinë të mbrojnë territorin e vendit

Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani tha se talebanët dhe mbështetësit e tyre duhet ta kuptojnë se përdorimi i forcës nuk është një rrugëzgjidhje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media në SHBA, ku ndodhet për takime zyrtare, Ghani tha se afganët nuk do të dorëzohen kurrë përpara përdorimit të forcës.

Ai theksoi se talebanët duhet t’i qasen një procesi politik duke bërë armëpushim. “Talebanët dhe mbështetësit e tyre duhet ta kuptojnë se përdorimi i forcës nuk është një rrugëzgjidhje”, tha Ghani.

Më tej Ghani shtoi se marrëveshja politike është mekanizëm përfundimtar për t‘i dhënë fund luftës.

“Talebanët do të përballen me popullin afgan nëse preferojnë rrugën e luftës”, potencoi Ghani i cili shtoi se forcat afgane të sigurisë kanë fuqinë të mbrojnë territorin e vendit.

Duke përmendur sigurinë e aeroportit ndërkombëtar të Kabulit, Ghani tha se për këtë çështje po konsultohen me Turqinë dhe disa vende të tjera dhe se së shpejti do të merret një vendim.

Rritja e ngjarjeve të dhunshme

Përderisa procesi i paqes në vend mbetet i pasigurt, sulmet në vend ende vazhdojnë. Më 21 qershor, militantët talebanë morën nën kontroll provincat e rajoneve Abad, Sholgere dhe Kishindeh të provincës Balkh në veri të vendit ndërsa më 25 qershor morën nën kontroll edhe zonat Kurgan dhe Karamkol në rajonin Faryab në veri të vendit.

Gjithashtu më 20 qershor nën kontrollin e organizatës ranë edhe dy zona në rajonet Belh dhe Samangan.

Në dy muajt e fundit, numri i rretheve nën kontrollin e talebanëve në të gjithë vendin ka shkuar mbi 40.

Sipas të dhënave të OKB-së, talebanët kontrollojnë 50 deri në 70 për qind të territorit të vendit, duke përjashtuar qendrat urbane.

Sipas informacionit të marrë nga AA nga autoritetet lokale, talebanët kontrollojnë më shumë se 130 nga 407 rrethe, përfshirë qendrat e tyre. Ndërsa rreth 60 nga këto qytete janë nën kontrollin e forcave afgane të sigurisë.

Ndërkohë, 34 qendrat provinciale të vendit janë nën kontrollin e qeverisë.

Luftimet vazhdojnë midis forcave të sigurisë dhe talebanëve në pjesën më të madhe të Afganistanit dhe përleshjet vazhdojnë në rreth 200 nga 407 rrethe.

Kategoritë
BotaLajme