Presidenti Erdoğan inauguron Kullën Çamlıca në Stamboll

Presidenti Erdoğan uroi që Kulla Çamlıca t’i shërbejë për të mirë vendit dhe qytetit pasi ajo do të sigurojë shërbim për operatorët e komunikimit dhe institucionet mediatike të radios dhe televizionit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha se me Kullën Çamlıca i është dhënë fund ndotjes vizuale në zonën Çamlıca dhe se të njëjtin model planifikojnë ta përhapin në të gjithë vendin, raporton Anadolu Agency (AA).

“Falë Kullës Çamlıca me të cilën është kaluar në modelin e një kompleksi të vetëm transmetues në aktivitetet e komunikimit dhe publikimit, i është dhënë fund ndotjes vizuale të zonës Çamlıca. Nëse kushtet do të jenë të favorshme planifikojmë që të njëjtin model ta përhapim në të gjithë vendin”, tha Erdoğan në fjalën që mbajti në ceremoninë e hapjes për Kullën Çamlıca në Stamboll.

Ai shtoi se janë mbledhur për të vendosur në shërbim Kompleksin Transmetues Çamlıca për të cilin besojnë se do t’i shtojë një bukuri të re Stambollit, se është një prej simboleve të rëndësishme të qytetit dhe të cilin e kanë ndjekur me një emocion të madh që nga dita kur janë hedhur themelet.

Presidenti Erdoğan uroi që Kulla Çamlıca t’i shërbejë për të mirë vendit dhe qytetit pasi ajo do të sigurojë shërbim për operatorët e komunikimit dhe institucionet mediatike të radios dhe televizionit.

“Ajo që na lumturon është se ne sapo përfunduam xhaminë ‘Büyük Çamlıca‘ dhe bashkë me këtë ana e xhamisë drejt kibles ishte e pushtuar nga kullat prej metali që ndodheshin aty dhe të cilat përbënin një ndotje vizuale. Kemi treguar përpjekje për të hequr këtë ndotje”, tha Erdoğan.

Pasi bëri të ditur se kanë punuar shumë mbi projekt dhe se më në fund vendosën në zbatim me sukses një projekt i cili është shembull jo vetëm për vendin por për të gjithë botën, Erdoğan tha:

“Një tjetër dimension për të cilin jemi të lumtur është se rreth radios nga këtu kryejnë transmetim dhe gjithashtu transmetimi i përbashkët është një sukses i yni. Për këtë arsye përgëzoj dhe i uroj që kjo t’i shërbejë për të mirë të gjithë transmetuesve të radios. Falë Kullës Çamlıca me të cilën është kaluar në modelin e një kompleksi të vetëm transmetues në aktivitetet e komunikimit dhe publikimit, i është dhënë fund ndotjes vizuale të Çamlıca-s. Nëse kushtet do të jenë të favorshme planifikojmë që të njëjtin model ta përhapim në të gjithë vendin. Në këtë mënyrë ne parandalojmë investimet e përsëritura, parandalojmë ndotjen e mjedisit dhe do të rrisim cilësinë e shërbimit”.

Kulla Çamlıca është vendosur në shërbim si një e tërë me ambiente të tilla si tarracë pamore, restorant, kafene dhe ambiente relaksi. Ndërtimi i saj filloi në vitin 2017 mbi një sipërfaqe prej 30.150 metër katrorë. Ajo ndodhet në një lartësi 587 metra mbi nivelin e detit dhe është struktura më e lartë e Stambollit, madje edhe e Evropës. Kulla ka një lartësi prej 369 metra, me pjesën prej betoni e cila ka një lartësi 221 metra dhe antena prej çeliku mbi të 168 metra lartësi. Ndërtimi i kullës është bërë rezistente kundër erërave të fuqishme dhe tërmetit 9 ballë.

Kulla ka gjithsej 49 kate prej të cilave 45 mbi dhe 4 nëntokë. Në katet e sipërme ndodhen katet për pamje, restorante dhe kafene. Me ndërtimin e Kullës Çamlıca qëllimi është ofrimi i shërbimit nga një kullë e vetme për kanalet TV dhe radiot FM që transmetojnë në Stamboll.

Kategoritë
BotaLajme