Presidenti Erdoğan inauguron zyrtarisht ndërtesën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Këshillit Turk

Presidenti Erdoğan u takua në ndërtesën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Këshillit Turk në rajonin Sultanahmet me krerët shtetërorë të vendeve anëtare, të cilët ndodhen në Stamboll në kuadrin e Samitit të 8-të të Këshillit Turk.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, bashkë me liderët e vendeve anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Shteteve Turqishtfolëse (Këshilli Turk), inauguroi zyrtarisht ndërtesën e Sekretariatit të Përgjithshëm të këtij këshilli, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Erdoğan u takua në ndërtesën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Këshillit Turk në rajonin Sultanahmet me krerët shtetërorë të vendeve anëtare, të cilët ndodhen në Stamboll në kuadrin e Samitit të 8-të të Këshillit Turk i cili do të mbahet sot në Ishullin e Demokracisë dhe Lirive.

Pasi biseduan pak në ndërtesë, Erdoğan dhe presidentët e shteteve të ftuara dolën jashtë për ceremoninë e hapjes.

Në ceremoni, shiriti i inaugurimit u pre pasi flamujt e vendeve anëtare të këshillit u ngritën në shtiza. Në kujtim të ditës, Erdoğan kërkoi nga të ftuarit që të ruajnë gërshërët.

Në ceremoni morën pjesë liderët e vendeve anëtare të këshillit: presidenti i Azerbajxhanit, İlham Aliyev, presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, presidenti i Kirgistanit, Sadyr Japarov, presidenti i Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoev, gjithashtu Viktor Orban, kryeministri i Hungarisë si vend vëzhgues, dhe Gurbanguly Berdimuhamedov, presidenti i Turkmenistanit i cili do të marrë pjesë për herë të parë në këshill me statusin e anëtarit vëzhgues, si dhe sekretari i përgjithshëm i Këshillit Turk, Baghdad Amreyev.

Presidenti Erdoğan dhe të ftuarit më pas u larguan drejt Ishullit Demokracisë dhe Lirive ku do të mbahet Samiti i 8-të i Këshillit Turk.

Kategoritë
BotaLajme