Presidenti Erdoğan mbërrin në Cetinje, pritet me nderimet më të larta shtetërore

Presidenti turk u mirëprit në Cetinje para pallatit presidencial nga presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan mbërriti sot në Cetinje, si pjesë e vizitës së parë zyrtare në Mal të Zi, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti turk u mirëprit në Cetinje para pallatit presidencial nga presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç. Erdoğan u prit me nderimet më të larta shtetërore ndërsa pas pjesës ceremoniale të pritjes, filloi takimi mes dy presidentëve. Pas takimit, presidentët Gjukanoviç dhe Erdoğan do të japin deklarata për mediat.

Është planifikuar që Gjukanoviç me bashkëshorten të shtrojnë një drekë solemne në nder të mysafirit të lartë dhe bashkëshortes së tij. Përveç anëtarëve të delegacioneve, të ftuar në drekë do të jenë zëvendëskryeministri Dritan Abazoviç, kryetari i Cetinjes, Aleksandar Kashçelan, kryetari i Partisë Boshnjake Ervin Ibrahimoviç dhe Reisi i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat Fejziç.

Në një program të veçantë, zonja e parë e Malit të Zi, Lidija Gjukanoviç do të presë zonjën e parë të Republikës së Turqisë, Emine Erdoğan. Ato do të vizitojnë Muzeun e Mbretit Nikolla në Cetinje dhe një ekspozitë në platonë para muzeut.

Erdoğan gjatë vizitës zyrtare në Mal të Zi do të takohet edhe me kryetarin e parlamentit, Aleksa Beçiq dhe kryeministrin Zdravko Krivokapiç ndërsa është planifikuar edhe vizitë në Xhaminë e Nizamit dhe Medresenë “Mehmet Fatih”.

Presidenti turk të premten zhvilloi një vizitë në Bosnjë e Hercegovinë, gjatë së cilës ai vizitoi Varrezat e Dëshmorëve Kovaçi në Sarajevë, hapi Xhaminë e Bashçarshisë dhe fali namazin e xhumasë. Pasdite, ai u takua me kryesuesin dhe anëtarët e Presidencës së BeH-së, Zheljko Komshiç, Shefik Xhaferoviç dhe Milorad Dodik.

Kategoritë
LajmeRajoni