Presidenti Erdoğan uron kryeministrin Rama për fitoren në zgjedhje

Zyra e shtypit e Kryeministrisë së Shqipërisë ka njoftuar se në një bisedë telefonike presidenti Erdoğan ka uruar kryeministrin Rama për fitoren në zgjedhje.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka uruar kryeministrin e Shqipërisë dhe kryetarin e Partisë Socialiste(PS), Edi Rama, për fitoren në zgjedhjet parlamentare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyra e shtypit e Kryeministrisë së Shqipërisë ka njoftuar se në një bisedë telefonike presidenti Erdoğan ka uruar kryeministrin Rama për fitoren në zgjedhje.

Gjithashtu sipas Kryeministrisë së Shqipërisë, kryeministrin Rama e ka uruar edhe kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në uebfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga numërimi i votave të 4.983 qendra të votimit, ose rreth 95 për qind nga 5.199 gjithsej, kryeson Partia Socialiste e Shqipërisë me 48,67 për qind të votave, ose 74 mandate.

Në vend të dytë renditet koalicioni i udhëhequr nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë, me 39,40 për qind të votave, ose 59 mandate.

Partia tjetër opozitare, Lëvizja Socialiste për Integrim(LSI), renditet në vend të tretë me 6,85 për qind, duke siguruar 4 mandate.

Ndërkohë, 3 mandate i ka siguruar edhe Partia Socialdemokrate(PSD), cila ka konkurruar më vete duke marrë në rang vendi deri tani 2,24 për qind të votave.

Kategoritë
LajmeRajoni