Presidenti i Këshillit Evropian kërkon armëpushim nga Putini me rastin e Pashkëve

“Me rastin e Pashkëve Ortodokse, bëra një thirrje të fortë për qasje humanitare dhe dalje të sigurt në Mariupol dhe qytete të tjera të rrethuara”, tha Michel në rrjetet sociale për bisedën e tij telefonike me Putinin

Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian (BE), Charles Michel, bisedoi në telefon me presidentin rus, Vladimir Putin, duke bërë thirrje për dalje të sigurta nga qytetet nën rrethimin rus në Ukrainë dhe një armëpushim për shkak të Pashkëve, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Me rastin e Pashkëve Ortodokse, bëra një thirrje të fortë për qasje humanitare dhe dalje të sigurt në Mariupol dhe qytete të tjera të rrethuara”, tha Michel në rrjetet sociale për bisedën e tij telefonike me Putinin.

Duke thënë se BE-ja përsëriti qëndrimin e saj, Michel theksoi se mbështetja për Ukrainën dhe sanksionet e vendosura për shkak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës do të vazhdojnë.

Burime të BE-së, të cilat ndanë me gazetarët informacione për bisedën, thanë se telefonata ishte “mjaft gjithëpërfshirëse dhe e gjatë”.

Një zyrtar i BE-së tha se Michel bëri thirrje për armëpushim humanitar për shkak të festës së Pashkëve, duke shtuar se në rend dite është futur edhe çështja e hapjes së korridoreve humanitare.

Sipas informacionit të dhënë nga zyrtari e BE-së, Michel, i cili vizitoi Kievin 2 ditë më parë dhe u takua me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, e këshilloi Putinin që të takohej drejtpërdrejt me Zelenskyy-n.

Gjithashtu u njoftua se Michel e informoi Putinin për takimin që pati me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, dhe kryeministrin armen, Nikol Pashinyan, më 6 prill dhe i përcolli Putinit se të dy liderët shprehën dëshirën e tyre për një marrëveshje paqeje.

Kategoritë
BotaLajme