Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Pendarovski, takon Patrikun Ekumenik Bartolomeu në Stamboll

Pendarovski, i cili udhëtoi në Turqi për Forumin e Diplomacisë në Antalya dhe vizita zyrtare, vizitoi Patriarkanën e Stambollit këtë mëngjes, ndërsa më pas edhe Kishën Hagia Yorgi

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, vizitoi Patrikun Ekumenik Bartolomeu në Stamboll, raporton Anadolu Agency (AA).

Pendarovski, i cili udhëtoi në Turqi për Forumin e Diplomacisë në Antalya dhe vizita zyrtare, vizitoi Patriarkanën e Stambollit këtë mëngjes, ndërsa më pas edhe Kishën Hagia Yorgi.

Më pas, Pendarovski u takua me me Patrikun Bartolomeu dhe shprehu kënaqësinë e tij për vizitën në Turqi.

“Faleminderit shumë që pranuat propozimin tonë për vizitë në kushte të pandemisë. Unë kisha vizituar Patriarkanën 19 vjet më parë. Në atë kohë, ju më dhatë një kryq për gruan time dhe fëmijën tim të palindur dhe bëtë lutje. Ishte një kujtim i mirë. Jam i lumtur që u takuam përsëri”, tha presidenti Pendarovski.

Ndërkaq, Bartolomeu po ashtu falënderoi Pendarovskin për vizitën dhe uroi që vizita në Turqi të ketë rezultate të mira.

“Na gëzon në veçanti fakti që marrëdhëniet midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë janë të mira. Pjesëmarrja juaj në Samitin e Diplomacisë në Antalya është tregues i këtyre marrëdhënieve të mira. Do të lutemi që ju dhe e gjithë bota të jetoni në paqe, veçanërisht që paqja midis vendeve fqinje të jetë e përhershme. Ne mbështesim paqen midis shteteve të Ballkanit dhe përcjellim dëshirat tona të mira në këtë drejtim. Dëshirojmë që të gjitha vendet e Ballkanit të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Po kështu, dëshirojmë që edhe Turqia, e cila ka qenë një vend kandidat për shumë vite, të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Ne si Patriarkanë Ekumenike mbështesim hyrjen e Turqisë në Bashkimin Evropian”, tha Bartolomeu.

Kategoritë
LajmeRajoni