Presidenti i Maqedonisë së Veriut zhvilloi bisedë telefonike me homologun bullgar

Pendarovski përshëndeti dialogun e vendosur ndërmjet dy qeverive dhe theksoi gatishmërinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për intensifikimin e dialogut në periudhën e ardhshme

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit të zyrës së Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Pendarovski e ka uruar presidentin Radev për marrjen e detyrës dhe i ka uruar mandat të suksesshëm.

“Të dy presidentët diskutuan zhvillimet e fundit në marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve fqinje në dritën e vizitës së fundit të kryeministrit bullgar në Shkup, si dhe aktivitetet e ardhshme në Sofje”, thuhet në deklaratë.

Në këtë kontekst, Pendarovski përshëndeti dialogun e vendosur ndërmjet dy qeverive dhe theksoi gatishmërinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për intensifikimin e dialogut në periudhën e ardhshme.

“Me qëllim të forcimit të dialogut mes dy vendeve, të dy presidentët diskutuan edhe për mundësinë e vizitës zyrtare të presidentit Pendarovski në Sofje së shpejti, si dhe për intensifikimin e komunikimit në nivelin më të lartë në periudhën e ardhshme”, thuhet në komunikatë.

Kategoritë
LajmeRajoni