Presidenti i Ukrainës kërkon mbyllje të plotë të hapësirës ajrore

“Unë dua që hapësira ajrore të mbyllet plotësisht sepse raketat lëshohen jo vetëm nga Rusia, por edhe nga Bjellorusia”, u tha Volodymyr Zelenskyy gazetarëve në një konferencë shtypi në Kiev

Presidenti ukrainas kërkoi mbylljen e “plotë” të hapësirës ajrore, duke thënë se raketat lëshohen jo vetëm nga Rusia, por edhe nga Bjellorusia, raporton Anadolu Agency (AA).

“Unë dua që hapësira ajrore të mbyllet plotësisht sepse raketat lëshohen jo vetëm nga Rusia, por edhe nga Bjellorusia”, u tha Volodymyr Zelenskyy gazetarëve në një konferencë shtypi në Kiev.

Ai shtoi se raketat Iskander, sistemi rus i raketave balistike me rreze të shkurtër veprimi, po lëshohen nga ato zona.

Duke nënvizuar nevojën urgjente për avionë në Ukrainë, ai tha: “Ne kemi nevojë për avionë. Ne nuk mund të bëjmë asgjë pa avionë tani. Kjo situatë po u kushton jetën shumë njerëzve”.

Ai i kërkoi homologut të tij rus Vladimir Putin që “të ndalojë këtë luftë”.

“Duhet të ulemi dhe të bisedojmë pa parakushte”, vazhdoi ai.

Zelenskyy gjithashtu falënderoi për të gjithë mbështetjen e dhënë Ukrainës, por ai tha se fëmijët nuk do të kishin vdekur nëse mbështetja nuk do të kishte ardhur “shumë vonë”.

“Ne jemi mbrojtja midis qytetërimit dhe Rusisë”, tha ai, duke shtuar se Kievi ka nevojë për siguri dhe garanci nga Perëndimi për mbrojtje.

Ai gjithashtu u bëri thirrje nënave ruse që të vijnë të marrin fëmijët e tyre, duke thënë: “Të rinjtë nuk duhet të jenë në morgje”.

Në lidhje me marrëdhëniet e Ukrainës me Poloninë, presidenti shpjegoi se sa të ngushta janë lidhjet e tyre duke thënë se homologu i tij polak e telefonon çdo ditë dhe e pyet për nevojat, dhe se ai e mban në linjë, pastaj thërret ushtrinë dhe i mbledh për t’iu përgjigjur pyetjeve të tij.

Konferenca për shtyp e Zelenskyy-t erdhi pasi delegacionet ruse dhe ukrainase filluan raundin e dytë të bisedimeve të paqes në qytetin bjellorus Brest.

Kategoritë
BotaLajme