Presidenti kroat, Milanoviç: Fluturakja e rrëzuar në Zagreb është prodhim rus

“Ky është një incident serioz. Hetimet janë duke u zhvilluar. U bëj thirrje qytetarëve të jenë të qetë, sepse në konflikte të këtij lloji mund të ndodhin gjëra të tilla”, tha presidenti kroat, Milanoviç.

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, ministri kroat i Mbrojtjes, Mario Banozhiç dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Kroate, Robert Hranj thanë se fluturakja që u rrëzua në Zagreb mbrëmë rreth orës 23:00 është prodhim rus ndërsa kishte fluturuar nga territori i Ukrainës, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas vlerësimeve, thuhet se ky nuk ishte një sulm i drejtuar kundër Kroacisë dhe se fluturakja është rrëzuar pasi ka mbetur pa karburant.

Pas takimit në rezidencën presidenciale në lagjen Pantovçak të Zagrebit me krerët e Forcave të Armatosura Kroate, drejtorët e agjencive dhe ekspertët nga administrata e inteligjencës, presidenti kroat Milanoviç informoi opinionin për rrethanat e rrëzimit të mbrëmshëm të fluturakes në Zagreb.

“Nuk kemi marrë asnjë informacion apo njoftim paraprak. Objekti fluturoi mbi Hungari për më shumë se 40 minuta, qëndroi në Kroaci për rreth shtatë minuta dhe u përplas në zonën më të gjerë të Jarunit, për fat të mirë pa viktima. Ky është një incident serioz. Hetimet janë duke u zhvilluar. U bëj thirrje qytetarëve të jenë të qetë, sepse në konflikte të këtij lloji mund të ndodhin gjëra të tilla”, tha Milanoviç.

Një fluturake prej 6 tonësh u rrëzua mbrëmë në një zonë më të gjerë të Zagrebit, qytet me pothuajse 1 milion banorë. Incidenti nuk u regjistrua në mediat kryesore botërore, si CNN, BBC dhe Al Jazeera, tha Milanoviç, duke shtuar se ishte një ” bombë e paarmatosur”.

Milanoviç konfirmoi se fluturakja u zbulua nga radarët kroatë. Ai pohoi se fluturakja jo e sofistikuar kishte kaluar pothuajse një orë mbi vendet anëtare të NATO-s pa e parë askush.

Ministri kroat i Mbrojtjes, Mario Banozhiç dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Robert Hranj në konferencën për media në Ministrinë e Mbrojtjes thanë se nuk donin të bënin konkluzione përfundimtare derisa hetimi është në vazhdim.

Banozhiç tha se ai ishte në kontakt të vazhdueshëm me aleatët e NATO-s.

I pyetur nga gazetarët përse Forcat e Armatosura Kroate nuk reaguan ndaj fluturakes që shkonte në drejtim të kryeqytetit, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Hranj pranoi se mbrojtja ajrore e Kroacisë ka disa kufizime dhe se ka nevojë për modernizim dhe se MIG-ët kroatë nuk fluturuan për ta interceptuar fluturaken.

Kategoritë
LajmeRajoni