Presidenti palestinez takon në Ramallah kryediplomatin egjiptian

Korrespondenti i AA-së raporton se kryediplomati egjiptian mbërriti në Ramallah me bordin e një helikopteri jordanez nga kryeqyteti Amman

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, ka takuar në Ramallah ministrin egjiptian të Punëve të Jashtme, Sameh Shoukry, raporton Anadolu Agency (AA).

Korrespondenti i AA-së raporton se kryediplomati egjiptian mbërriti në Ramallah me bordin e një helikopteri jordanez nga kryeqyteti Amman.

Takimi vjen disa ditë pasi një armëpushim i ndërmjetësuar nga Egjipti hyri në fuqi të premten midis grupeve palestineze të rezistencës dhe Izraelit, duke i dhënë fund luftimeve 11-ditore.

Sot më herët, Shoukry në Amman u takua me homologun e tij jordanez, Ayman Safadi, pas çka të dy kryediplomatët paralajmëruan për një raund tjetër të përshkallëzimit në territoret palestineze.

“Ajo që Izraeli po bën në Bregun Perëndimor, e bën të domosdoshme që Egjipti të komunikojë me Jordaninë”, tha Shoukry, duke theksuar “rëndësinë e kthjellimit të një qëndrimi ndërkombëtar për të stabilizuar rehatinë”.

Tensionet e fundit që filluan në Kudsin Lindor gjatë muajit të Ramazanit u përhapën në Rripin e Gazës si rezultat i sulmeve izraelite ndaj besimtarëve muslimanë në xhaminë Al-Aksa dhe në lagjen Sheikh Jarrah.

Sipas autoriteteve palestineze, si pasojë e sulmeve izraelite që nga mesi i muajit prill u vranë të paktën 279 palestinezë, 248 në Gaza dhe 31 në Bregun Perëndimor, si dhe mbi 1.900 të tjerë u plagosën.

Po ashtu nga raketat palestineze nga Rripi i Gazës u vranë 12 izraelitë.

Dje, shumë kolonë izraelitë hynë më forcë në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Kuds për herë të parë në tre javë, duke ngjallur zemërim tek palestinezët.

Kudsi mbetet thelbi i konfliktit midis Palestinës dhe Izraelit, me palestinezët që shpresojnë se Kudsi Lindor, aktualisht i pushtuar nga Izraeli, përfundimisht do të mund të shërbejë si kryeqyteti i një shteti të ardhshëm palestinez.

Kategoritë
BotaLajme