Presidenti serb zotohet se nuk do të ketë mëshirë për ata që shkelin paqen

“Priboj është një provë nëse jemi njerëz ose jo. Nuk duhet të ndodhë që fëmijët t’i këndojnë dikujt për të shtënat në xhami”, tha Vuçiç, duke shtuar “siç respektojmë kishat, ikonat dhe manastiret tona, ne duhet të respektojmë fqinjët tanë musliman”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se vendi nuk do të tregojë mëshirë për ata që shkelin paqen, duke aluduar në një incident të fundit nacionalist në një qytet jugperëndimor, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Vuçiç i bëri këto komente gjatë një vizite në qytetin serb Priboj, pas një seri incidentesh anti-boshnjake në fillim të këtij viti.

“Të gjithë ata që janë përgjegjës për shkaktimin e telasheve do të sanksionohen dhe ne duhet t’i mësojmë fëmijët tanë se si të jetojnë së bashku”, tha Vuçiç.

Tensionet u rritën pasi një video u shfaq në internet që tregonte oficerët e policisë jashtë detyrës duke festuar lindjen e një fëmije me një këngë që lavdëronte gjenocidin e Srebrenicës dhe krimet e tjera të luftës.

“Priboj është një provë nëse jemi njerëz ose jo. Nuk duhet të ndodhë që fëmijët t’i këndojnë dikujt për të shtënat në xhami”, tha Vuçiç, duke shtuar “siç respektojmë kishat, ikonat dhe manastiret tona, ne duhet të respektojmë fqinjët tanë musliman”.

“Unë jam serb, president i Serbisë, dhe sigurisht i dua të gjithë serbët. Por nuk mund të imagjinoj Pribojn pa boshnjakët dhe nuk do të jetë pa ta, sepse ata kanë të njëjtat të drejta si serbët”, tha ai.

Vuçiç tha se Serbia është njëlloj boshnjake dhe serbe dhe kushdo që mendon se mund të djegë, vrasë, qëllojë dhe therë do të përfundojë në burg.

“Kushdo që mendon të rrezikojë jetën, shtëpinë, xhaminë dhe kishën e dikujt do të duhet të përballet me një shtet që nuk do të ketë mëshirë dhe do të veprojë në mënyrë të pamëshirshme, prandaj u kërkoj njerëzve të tillë që të mos sfidojnë shtetin dhe të mos vënë në provë forcën e shtetit”, shtoi ai.

Duke vizituar fabrikën e kompanisë turke “Flex Academy” në Priboj, e cila prodhon shtëpi fleksibël prej çeliku, Vuçiç premtoi se kompania do të hapë një fabrikë tjetër në qytet.

Në një takim me përfaqësuesit e kompanisë, Vuçiç tha se fabrika e re do të punësojë 150 persona.

Në kompaninë “Flex Academy”, e cila funksionon që nga viti 2017, janë të punësuar rreth 300 punëtorë.

Vuçiç tha se Priboj këtë vit do të marrë gazsjellësin, me çka do të mundësojë prodhimin e lirë në Zonën e Lirë të Pribojt.

Presidenti serb po ashtu u takua me autoritetet lokale dhe vizitoi xhaminë Hasan Aga, duke u thënë besimtarët të mbledhur të ndjehen të sigurt.

Kategoritë
LajmeRajoni