Presidentja e Kosovës, Osmani takon Emirin e Katarit në Doha

Në kontekstin e Forumit të Dohas, presidentja Osmani ritheksoi përpjekjet e përbashkëta të Kosovës dhe Katarit si dy vende paqedashëse, gatishmërinë për t’i adresuar sfidat bashkëkohore

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Emirin e Katarit, Sheikh Khalid bin Khalifa bin Abdulaziz Al Thani gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Dohas, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Presidenca e Kosovës, Osman ka vlerësuar lartë marrëdhëniet miqësore në mes të Kosovës dhe Katarit.

Në kontekstin e Forumit “Doha 2022”, presidentja Osmani ritheksoi përpjekjet e përbashkëta të Kosovës dhe Katarit si dy vende paqedashëse, gatishmërinë për t’i adresuar sfidat bashkëkohore.

Ajo falënderoi Emirin e Katarit për mbështetjen ndaj Kosovës që nga paslufta, përfshirë realizimin e projekteve të ndryshme të financuara nga populli dhe shteti i Katarit.

Po ashtu, presidentja Osmani shprehu gatishmërinë e institucioneve kosovare të thellojnë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar me Katarin.

Presidentja vlerësoi rolin e rëndësishëm të Katarit në mbështetjen e Kosovës në iniciativa të ndryshme ndërkombëtare. Ajo potencoi nevojën për të avancuar bashkëpunimin diplomatik duke u anëtarësuar edhe në organizata ndërkombëtare “në të cilat akoma nuk jemi të përfaqësuar si dhe duke e rritur numrin e njohjeve për pavarësinë e Kosovës”.

Presidentja Osmani bashkë me kryediplomaten Donika Gërvalla po qëndrojnë në Katar me ftesë të Emirit Al Thani për të marrë pjesë në Forumin e Dohas, krahas udhëheqësve e përfaqësuesve të vendeve të tjera të botës.

Nën sloganin “Transformimi për një epokë të re”, Forumi i Dohas do të fokusohet në katër tema kyçe: aleancat gjeopolitike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, sistemi financiar dhe zhvillimi ekonomik, mbrojtja kibernetike dhe siguria ushqimore, si dhe ndryshimet klimatike dhe qëndrueshmëria.

Kategoritë
LajmeVendi