Presidentja e Kosovës pranon kredencialet nga ambasadorja e Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të mërkurën (6 prill) ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadorja e parë e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv.

Kosova dhe Izraeli formalizuan marrëdhëniet diplomatike më 1 shkurt të vitit 2021.

Njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Izraelit ishte paraparë me Marrëveshjen e 4 shtatorit 2020, kur Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Me 14 mars 2021, Kosova e hapi ambasadën e saj në Jerusalem.

Gjatë pranimit të kredencialeve nga ambasadorja Ziv, presidentja e Kosovës, Osmani tha se Kosova e Izraeli kanë pasur raporte miqësore edhe përpara vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

“Populli i Kosovës ka hapur dyert dhe zemrat për popullin hebre në ditët më të vështira, e sot, qëndrojmë të gatshëm të thellojmë bashkëpunimin në të gjitha fushat, përfshirë ekonominë, sigurinë, inteligjencën, shëndetin dhe arsimin. Bashkëpunimi ndërshtetëror do të thellohet tutje”, citohet të ketë thënë Osmani në një komunikatë për media.

Sipas kësaj komunikate, ambasadorja Ziv shprehu gatishmëri për “thellim të raporteve të dy shteteve në të gjitha fushat”.

Presidentja Osmani gjithashtu kërkoi që Izraeli t’i heqë përfundimisht vizat për shtetasit e Kosovës, gjë që do ta mundësonte rritjen e turizmit nga të dy vendet.

Ardhjen e ambasadores së Izraelit në Kosovë e përshëndeti edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një postim në Twitter.

Kategoritë
LajmeVendi