Presidentja Osmani dhe ministri Mehaj i shprehin falënderime komunitetit turk në festën e tyre

Dita e Komunitetit turk të Kosovës u shënua më 23 prill me disa organizime ku morën pjesë presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, zv/ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë Yavuz Selim Kıran, ministri i Mbrojtjes së Kosovës Armend Mehaj.

23 Prilli – Festa Kombëtare e Turqve të Kosovës u shënua në qytetin e Prizrenit. Në pritjen e organizuar nga kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) dhe ministri për Zhvillim Rajonal të Kosovës, Fikrim Damka, morën pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zv/ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Yavuz Selim Kıran, zv/kryeministrja përgjegjëse për Pakicat dhe të Drejtat e Njeriut e Kosovës, Emilija Rexhepi e të ftuar të tjerë të shumtë bashkë me qytetarë.

Presidentja Osmani përmes një fjalimi, theksoi mbështetjen e rëndësishme që komuniteti turk në Kosovë ka treguar në procesin për t’u bërë shtet.

“Komuniteti turk është pjesë e pandashme e Kosovës. Është një i tërë që plotëson Kosovën. Si presidente e Kosovës jam e nderuar që ndodhem sot këtu, ku me ju dhe më saktë ne po festojmë ditën e turqve të Kosovës. Uroj që vëllazëria, bashkimi dhe uniteti ynë të jenë të përhershëm”, tha Osmani.

Presidentja Osmani më pas këtë ceremoni e ilustroi edhe me një postim në Facebook, ku krahas fotografive nga ceremonia, ka shkruar po ashtu se ka falënderuar komunitetin turk të Kosovës, për kontributin e vazhdueshëm në procesin e shtet-ndërtimit tonë.

Ndërsa ministri Damka gjatë ceremonisë, theksoi se komuniteti turk përfaqësohet në nivelin më të lartë në institucionet e Kosovës.

Damka përmendi rëndësinë e regjistrimit të popullsisë që do të mbahet në Kosovë në periudhën e ardhshme për shoqërinë turke.

Ndërsa zv/ministri turk i Punëve të Jashtme, Yavuz Selim Kıran fjalën e tij e filloi duke përcjellë urimet dhe përshëndetjet e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe ministrit të Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu.

“Falë politikës tonë të jashtme humanitare në të gjithë botën, politikës tonë që kemi treguar në boshtin e drejtësisë globale dhe mendjemprehtësisë tonë që kemi treguar në zgjidhjen e çështjeve globale, si Republikë e Turqisë ne jemi në një pozicion shumë më të mirë dhe më të fortë dhe e shohim se ky pushtet është një burim shumë i madh fuqie për shoqërinë turke kudo që ajo të jetë në botë”, tha Kıran duke tërhequr vëmendjen se komuniteti turk në Kosovë është në një pozicion shumë më të fuqishëm në krahasim me periudhën e mëparshme.

Para programit të iftarit, me pjesëmarrjen e presidentes Osmani dhe zv.ministrit Kıran u realizua hapja e ekspozitës “Duart e talentuara që sjellin jetë për stolitë” e organizuar nga Shoqata e Grave Orkide dhe Instituti “Yunus Emre” në Prizren.

E pas iftarit programi përfundoi me melodi të Rumelisë, të interpretuara nga artisti i njohur i Prizrenit, Alush Nush.

Poashtu, në orët e mbrëmjes, me pjesëmarrjen e mbi 5 mijë fansave në Qendrën Sportive në Prizren, u mbajt edhe një koncert nga artisti i famshëm turk, Buray.

*

Dita e Komunitetit Turk u shënua edhe në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës

Me rastin e 23 Prillit – Ditës së Komunitetit Turk në Kosovë, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i shoqëruar nga zv/ministri Adnan Rexheplar, ka organizuar një tryezë të rrumbullakët, ku morën pjesë personalitete të shumta të shquara politike dhe ushtarake të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare veçanërisht nga Republika e Turqisë.

Sipas njoftimit nga ministria, ministri Mehaj ka uruar të gjithë zyrtarët, oficerët dhe nënoficerët e komunitetit turk, në shënimin e ditës së tyre duke thënë se ky komunitet ka vend të respektuar në institucionet e Kosovës dhe se këtë respekt, e kanë fituar pjesëtarë të këtij komuniteti falë përkushtimit në këto institucione dhe punës së ndershme. Më tej, Ministri Mehaj, bëri të ditur se është i përkushtuar që në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) të rritet numri i pjesëtarëve të komuniteteve tjera pakicë, duke përfshirë edhe komunitetin turk.

“Përmes rritjes së përfshirjes së komunitetit turk në institucionet tona, bëhet forcimi i raporteve me shtetin e Turqisë, i cili gjithmonë e ka përkrahur ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit tonë”, tha ministri Mehaj gjatë fjalimit të tij.

Me fjalë rasti për rëndësinë e kësaj Dite, si dhe marrëdhënieve kulturore e bashkëpunimit në mes të dy vendeve, popujve, ministrive dhe forcave, u paraqitën edhe Ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar, ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka etj. Në këtë organizim mori pjesë edhe drejtori i NALT-it (Ekipit Këshillues Ndërlidhës i NATO-s), Gjeneral Joachim Hoppe, atasheu turk i mbrojtjes, kolonel Çağdaş Akif Kahraman etj.

Osmani thotë se pala serbe ka bllokuar dialogun

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pala serbe e ka bllokuar progresin në dialogun Kosovë-Serbi, pas dështimit të arritjes së një marrëveshje për targat. Presidentja ka thënë se ashtu siç ka potencuar vazhdimisht Kryeministri Albin Kurti, njohja reciproke Kosovë-Serbi, është parakusht për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajonin tonë. Osmani gjatë një konference për media, ka thënë se Kosova ka dhënë maksimumin në dialog.

“Republika e Kosovës ka dhënë maksimumin si një palë konstruktive në dialog që të arrihet një marrëveshje ashtu siç ka kërkuar edhe BE-ja, në përputhje me standardet e BE-së, por ne nuk mund të marrim përgjegjësi për bllokadën që po shkakton pala serbe. Në ditët në vijim do të ketë akoma përpjekje, ajo çka mund t’ju siguroj është që Kosova do të jetë palë konstruktive dhe do të vazhdojë të jetë palë që respekton parimet dhe standardet më të larta evropiane, ndërkaq se si do të sillet Serbia varet nga ata, por fatkeqësisht sjellja e tyre e deritanishme vetëm e ka bllokuar progresin në dialog”, ka thënë Osmani.

*

Abdixhiku kritikon qeverinë për dialogun

Në Bruksel ka dështuar të arrihet marrëveshja për targat mes Kosovës e Serbisë. E këtë dështim e ka komentuar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Ai pas mbledhjes së Kryesisë, në një konferencë për media, veç tjerash ka folur edhe për dialogun, I cili sipas tij po kthehet në çështje teknike.

“Unë besoj që problemi i dialogut Kosovë-Serbi po kthehet gradualisht në diskutim për çështje teknike që nuk është qëllimi i dialogut. Në këtë mënyrë do të zgjatet në pafundësi dialogu. Ajo çfarë lë përshtypje në këtë drejtim është se targat e lëshuara për qytetet e Kosovës nga qeveria e Serbisë, tani po futen në një afat të papërcaktuar. Pra, përderisa kishim një arsyetim se do të vlenin për 6 muaj, tani pa u thënë fare po futen në një afat të përjetshëm dhe pa agjendë të saktë”, ka thënë Abdixhiku.

*

Kurti takohet me senatorë amerikanë 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim tre senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis, të cilët qëndruan në Kosovë pas vizitës në Beograd. Kryeministri Kurti tha në konferencë për media, se në takim ka theksuar rreshtimin e Kosovës krah shteteve demokratike për të dënuar agresionin rus të Ukrainës.

“Në takimin tonë të përbashkët kam theksuar që kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme se tani që të gjitha shtetet demokratike të qëndrojnë bashkë kundër luftës agresore dhe ilegale të Rusisë në Ukrainë. Me këtë rast edhe një herë e ritheksojmë solidaritetin dhe admirimin tonë për popullin e Ukrainës, lidershipin politik të tij dhe qëndrueshmërinë e luftën çlirimtare që po bëjnë. Në këtë kontekst Kosova ka mbajt qëndrimin e njëjtë me ShBA, NATO dhe BE e në anën tjetër kemi autokracitë të cilët mund të jenë të ndara nga populli i tyre por po bashkëpunojnë me njëra tjetrën”.

*

Rasti i ambasadorit Berishaj, presidentja Osmani pret vendimin e organeve të drejtësisë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i ka dalë në mbrojtje ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për të cilin të enjten u raportua se është i përfshirë në një skandal financiar. Presidentja Osmani, ka thënë se konstatimin për ambasadorin Berishaj mund të japin organet e drejtësisë.

“Sa i përket atyre që publikohen, dua ta potencoj atë që e them vazhdimisht, siç e ka thënë presidenti Biden: ‘Rreziku më i madh në raport me demokracinë tonë nuk janë vetëm tanket, por edhe dezinformatat’. Kështu që si presidente e Republikës unë natyrisht pres që për çdo çështje që publikohen, të konfirmohen dhe nëse nuk konfirmohen, natyrisht që ne procedojmë ashtu siç i kemi marr vendimet tona. Ne i besojmë ambasadorit të Republikës së Kosovës kur mohon akuza të tilla dhe natyrisht që ai do t’i drejtojë të gjitha këto çështje në organe të drejtësisë dhe pastaj të gjithë bashkërisht e presim vendimin e organeve të drejtësisë para se të bëjmë konstatimin, siç dëgjuam”, tha Osmani.

*

PDK akuzon qeverinë Kurti, kërkon Komision hetimor

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media pas publikimit në media të një pretendimi për skandal financiar të Ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili ka thënë se kjo aferë lidhet me majat e institucioneve dhe partisë në pushtet, prandaj, ka kërkuar hetim të hollësishëm parlamentar të kësaj çështje.

“Sot jemi këtu për të ngritur zërin në emër të qytetarëve tanë dhe për të dënuar aferën e “Kartelit të Rrymës”, që tani ka depërtuar edhe në majat më të larta të institucioneve dhe të partisë në pushtet. Ne kemi pasur një kërkesë të vazhdueshme për të themeluar një komision parlamentar hetimor, që do të hetonte procesin e shpenzimit të 100 milion eurove të dedikuara për blerje të rrymës. Kjo e drejtë kushtetuese e opozitës, e deputetëve, e penguar nga Kryeministri Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij, ka për qëllim që të mbajnë larg dritës kontratat e shitblerjes së rrymës, sepse, kështu do të zbulohej rrjedha e parasë si dhe lidhjet potenciale të Kartelit të Rrymës dhe bashkëpunëtorëve të Kryeministrit Kurti”, ka thënë Ismaili.

*

AAK nuk do të marrë pjesë në votim Parlamentar

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se qëndrimi i AAK-së është se pa u votuar Komisioni Hetimor për çështjen e energjisë elektrike, nuk do të marrin pjesë në asnjë votim parlamentar.

“Është e habitshme, është e pakuptimtë dhe njëherit zgjon kureshtje të madhe se cila është arsyeja që shumica, LVV-ja e kundërshton themelimin. Pra, çka janë duke fshehur nga një Komision hetimor, i cili në të kaluarën ka ndodhë për shumë tema dhe i cili do të zbardhte të vërtetën dhe në Komision, shumica e personave do të ishin nga vet Gp i LVV-së. Është e pakuptueshme për mua pse po refuzohet formimi i këtij komisioni hetimor dhe çka është duke fshehur shumica me direktivë të qeverisë dhe kryeministrit Kurti”, tha Tahiri.

*

Peci prezanton programin për zhvillim rural

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka prezantuar programin për zhvillimin rural për këtë vit, grande për vitin 2022.

Peci tha se për këtë vit janë paraparë të ndahen 26 milionë euro grande në sektorin e bujqësisë e blegtorisë. Programi për zhvillim rural, sipas ministrit Peci, ofron mundësi të financimit për fermerët, agro-përpunuesit, bizneset rurale si dhe grupet lokale të veprimit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

“Programi ka për qëllim të mbështes rritjen e konkurrencës së sektorit  agro-ushqimor duke përmirësuar efikasitetin dhe qëndrueshmërinë në fermë, përkrahjen e fermerëve të rinj, për të orientuar prodhimin sipas kërkesës së tregut, për të përmirësuar zinxhirin e vlerës, sigurimin e përgjigjes më të mirë ndaj kërkesës për ushqim më cilësor, të sigurt me vlera ushqyese dhe të qëndrueshme si dhe mirëqenien e kafshëve duke kontribuar në një pjesë të madhe në prodhimin vendor”, ka thënë Peci në konferencën për medie.

Kategoritë
LajmeVendi