Presidentja Osmani takon kongresistin Aderholt, diskutojnë për situatën e sigurisë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka njoftuar se ka takuar kongresistin amerikan Robert Aderholt, të cilin e ka njoftuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon.

“Kongresistin Robert Aderholt, i cili shërben edhe si bashkudhëheqës i grupit për çështje shqiptare në kuadër të Kongresit amerikan, e njoftova për punën e institucioneve të Kosovës dhe për reformat që po ndërmerren si dhe për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon”, ka shkruar Osmani në facebook.

Presidentja Osmani po ashtu e ka njoftuar kongresistin amerikan për rolin e NATO-s në Kosovë.

“Potencova se roli i NATO-s në Kosovë është tejet i rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe sigurisë, si dhe diskutuam për rëndësinë e bashkëpunimit mes Kosovës e SHBA-ve në fushën e mbrojtjes dhe të ekonomisë si dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm”, ka theksuar ajo.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është duke qëndruar në SHBA ajo poashtu ka takuar kongresistin Ben Cardin dhe kongresistin Steve Cohen, bashkudhëheqës të Komisionit për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (U.S. Helsinki Committee).

Ajo është takuar edhe Steny Hoyer, udhëheqës i shumicës parlamentare në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-ve si dhe disa kongresistë të tjerë, me të cilët ka biseduar kryesisht për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Kategoritë
LajmeVendi