Prezantohet libri i përkthyer në gjuhën turke “Xhamitë e Shqipërisë”

Libri që trajton arkitekturën e xhamive në Shqipëri me autor studiuesin Aleksandër Meksi, është përkthyer në turqishte nën kujdesin e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, me mbështetjen e Dhomës së Tregtisë së Stambollit (İTO)

Në Tiranë është prezantuar libri i përkthyer në turqishte me titull “Xhamitë e Shqipërisë”, me autor studiuesin Aleksandër Meksi, në një aktivitet me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve turke në Shqipëri, studiuesve dhe përfaqësuesve të organizatave të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën përshëndetëse në aktivitetin e mbajtur në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, tha se ai shpreson dhe uron që ky libër, sipas tij kaq i rëndësishëm dhe kaq burimor, do të jetë një gur themeli për akademikët shqiptarë dhe turq. Ai shtoi se në të njëjtën kohë do të jetë edhe një fillim i mbarë për veprimtaritë e reja për njohjen sa më mirë të periudhës së përbashkët mes dy vendeve.

Duke folur rreth autorit dhe librit, ambasadori Yörük tha: “Profesori i shquar, historiani dhe restauratori, duke bashkuar në një të vetme një pjesë të madhe të kulturës sonë të përbashkët krijoi një libër me shumë vlera për ne dhe për brezat e ardhshëm. U emocionova së tepërmi kur mësova se ekzistonte një libër i tillë kaq burimor dhe dëshiroja së tepërmi që të përkthehej në gjuhën turke”.

“Dëshiroj të theksoj se me mbështetjen e fuqishme të TIKA-s përfunduan punimet restauruese në Xhaminë e Et’hem Beut e cila e cila nuk është vetëm simbol i Tiranës, por ndoshta është i gjithë Shqipërisë. Në të njëjtën kohë kemi vënë në lëvizje të gjithë mekanizmat për të filluar puna për shpëtimin nga përmbytjet të Xhamisë së Plumbit në Shkodër, një vepër me vlera të rralla historike dhe arkitektonike”.

Duke iu referuar edhe projekteve të ardhshme, ambasadori turk tha se “Me të gjithë këto projekte, objektivi ynë, qëllimi ynë është që duke u frymëzuar nga e kaluara jonë me rrënjë të thella, ta rigjallërojmë kulturën tonë të përbashkët dhe bashkë me të, të shkojmë fuqishëm drejt së ardhmes”.

Gjatë fjalës në aktivitet, autori i librit, Meksi, tha se botimi i librit edhe në turqishte është një dritare e hapur për lexuesit turq, për studiuesit e monumenteve dhe për studiuesit e xhamive në mënyrë specifike.

Duke iu referuar edhe periudhës osmane, Meksi tha: “Janë të shumta dëshmitë e kulturës materiale të cilat flasin për këtë jetë të përbashkët, të përfshirjes së Shqipërisë në këtë qytetërim. Me rëndësi të veçantë për ne si studiues të arkitekturës janë pikërisht monumentet kryesore të saj, që janë nga një anë fortifikimet dhe nga ana tjetër xhamitë”.

“Unë kam filluar këtë punë gati 60 vite përpara, kështu që kam pasur mundësinë të shikoj edhe ato monumente të cilat për fatin e keq të kulturës shqiptare u shembën gjatë vitit të mbrapshtë 1967. Ato janë dëshmi të arkitekturës”, tha Meksi.

Të pranishmit i përshëndeti edhe drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, i cili theksoi se “Jam tepër i lumtur që ndodhem mes jush me rastin e një veprimtarie të tillë. Unë i kam ndjekur nga afër përpjekjet tepër serioze të ambasadorit të Turqisë këtu në Shqipëri për përkthimin në gjuhën turke të këtij libri”.

Nënkryetari i Dhomës së Tregtisë të Stambollit (İTO), İsrafil Kuralay, tha se ndërsa marrëdhëniet politike dhe ekonomike midis dy vendeve sigurojnë infrastrukturën, kultura dhe arti i thellojnë këto marrëdhënie. “Edhe sot ne këtu po përjetojmë emocionet dhe lumturinë që na japin urat tona kulturore. Lidhjet e dashurisë dhe vëllazërisë mes nesh me rrënjë në shekuj janë mbështetja jonë më e madhe në emër të së ardhmes tonë plot begati dhe paqe”, tha Kuralay.

Duke folur rreth librit, Kuralay, tha se “Libri ‘Xhamitë e Shqipërisë’ është shumë i rëndësishëm dhe shumë i vlefshëm. Ky libër përmban një perspektivë historike e cila i forcon lidhjet e fuqishme historike midis vendeve dhe popujve tanë. Duke botuar këtë libër kemi dhënë një kontribut të rëndësishëm që këto vepra t’u përcillen si një urë miqësie brezave të ardhshëm”.

Libri që trajton arkitekturën e xhamive në Shqipëri me autor studiuesin Aleksandër Meksi, i cili ka mbajtur edhe postin e kryeministrit të Shqipërisë në vitet 1992-1997, dhe që është botuar edhe në gjuhën shqipe, është përkthyer në turqishte nën kujdesin e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, me mbështetjen e Dhomës së Tregtisë së Stambollit (İTO).

Kategoritë
LajmeRajoni