Princat William dhe Harry zbulojnë statujën e Princeshës Diana në Pallatin Kensington

Zbulimi i statujës së re në Pallatin Kensington përkoi me ditëlindjen e 60-të e Diana-s

Princat William dhe Harry zbuluan një statujë të re të nënës së tyre të ndjerë, Princeshës Diana, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zbulimi i statujës së re në Pallatin Kensington përkoi me ditëlindjen e 60-të e Diana-s.

“Princi William dhe Princi Harry kanë zbuluar një statujë të nënës së tyre, Diana, Princeshës së Uellsit, në Sunken Garden në Pallatin Kensington, në atë që do të kishte qenë 60-vjetori i saj i lindjes”, thuhet në një deklaratë nga Pallati Kensington.

Statuja, e projektuar nga skulptori Ian Rank-Broadley, ishte porositur në vitin 2017 nga dy vëllezërit si nderim për nënën e tyre e cila vdiq në vitin 1997 në një aksident me makinë në Paris. Në statujën e re paraqitet Diana me dy fëmijë të vegjël përkrah saj, duke reflektuar punën bamirëse që ajo kishte kryer.

Diana ishte martuar me Princin Charles, trashëgimtarin e fronit britanik, në vitin 1981 dhe pas një ndarjeje, martesa përfundoi me divorc në vitin 1996.

Ceremonia e së enjtes ishte rasti i parë publik që nga varrimi i gjyshit të tyre dhe burrit të mbretëreshës Princit Philip në prill.

Harry, së bashku me gruan e tij, Meghan Markle, ishin larguar nga detyrat mbretërore në vitin 2020 dhe u zhvendosën në SHBA pas kësaj.

Vëllai i Diana-s, Charles Spencer, ishte ndër personat që morën pjesë në ceremoni.

Kategoritë
BotaLajme