Princi William: Ne nuk jemi familje raciste

Meghan tha se në muajt e para të lindjes së djalit të saj në Pallatin Buckingham ka pasur biseda se sa e errët do të ishte lëkura e djalit, çfarë do të thoshte kjo për pallatin dhe se nuk do t’i jepej djalit një titull mbretëror.

Princi William ka mohuar se familja mbretërore e Britanisë është raciste, në komentet e tij të para publiku pasi vëllai i tij Princi Harry së bashku me gruan e tij, Meghan Markle, në një intervistë televizive akuzuan familjen mbretërore.

“Ne nuk jemi një familje raciste”, tha William për Sky News.

Princi William ishte për vizitë në një shkollë në lindje të Londrës, së bashku me gruan e tij, kur nga Sky News u pyet në lidhje me akuzat.

Në fillim të kësaj jave, Meghan në një intervistë televizive tha se në muajt e para të lindjes së djalit të saj në Pallatin Buckingham ka pasur biseda se sa e errët do të ishte lëkura e djalit, çfarë do të thoshte kjo për pallatin dhe se nuk do t’i jepej djalit një titull mbretëror.

Ajo tha se në atë kohë “nuk dëshironte të jetë e gjallë” më brenda pallatit. Kur u pyet nëse ka menduar për vetëvrasje, ajo tha se, “Po, kjo ishte shumë e qartë dhe shumë e frikshme.

Meghan po ashtu tha se kërkoi ndihmë nga “institucione”, por u refuzua.

Princi William po ashtu foli për marrëdhënien me vëllain e tij, Princin Harry, për të cilin tha se, “Nuk kam folur ende me të, por kam ndërmend ta bëj”.

Pallati Buckingham lëshoi një deklaratë të shkurtër lidhur me akuzat.

“E gjithë familja është e pikëlluar kur mëson shtrirjen e plotë se sa sfidues kanë qenë vitet e fundit për Harry-n dhe Meghan-in. Çështjet e ngritura, veçanërisht ajo e racës, janë shqetësuese. Përderisa disa kujtime mund të ndryshojnë, ato merren shumë seriozisht dhe do të trajtohen nga familja privatisht. Harry, Meghan dhe Archie (djali) do të jenë gjithmonë anëtarë shumë të dashur të familjes”, tha Pallati Buckingham.

Kategoritë
BotaLajme