Prishtina me sistem të ri për menaxhimin e hapësirave të parkimit

Sistemi është vendosur në tri zona më të frekuentuara të kryeqytetit, në hyrjet e së cilave është vendosur një tabelë që informon rreth sistemit të pagesës.

Autoritetet komunale të kryeqendrës së Kosovës, Prishtinës, kanë themeluar ndërmarrjen publike lokale “Prishtina Parking” me qëllim rregullimin e trafikut përmes digjitalizimit, menaxhimit dhe mirëmbajtjes së hapësirave publike të destinuara për shërbim të parkimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky sistem i cili është i pari në Prishtinë për këtë çështje, pritet të ketë efikasitet në menaxhimin e hapësirave të parkimit, duke evituar rrëmujën dhe parkimin e parregullt.

Sistemi është vendosur në tri zona më të frekuentuara të kryeqytetit, në hyrjet e të cilave është vendosur një tabelë që informon rreth sistemit të pagesës. Sistemi i pagesës vlen nga e hëna në orën 7 të mëngjesit deri të premten në ora 7 të mbrëmjes, ndërsa një orë parkimi të automjetit, kushton 1 euro.

Për pagesë të parkingut në këto zona do të jenë të mundura katër mënyra: përmes telefonit duke përdorur aplikacionin adekuat, përmes dërgimit të “sms”, përmes Parking Metrit (pajisje personale që rimbushet me minuta të parkingut) dhe përmes blerjes së biletave fizike.

Ndërmarrja Prishtina Parking është themeluar nga autoritetet komunale të Prishtinës si nevojë e rregullimit të hapësirave të parkimit në kryeqytet dhe evitimit të problemeve të ditëve të punës në komunikacionin e kryeqytetit.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka prezantuar të martën këtë projekt nga i cili ka thënë se do të ketë të hyra pesë milionë euro në vit.

Kategoritë
LajmeVendi