Prishtinë, hapet Panairi Ndërkombëtar i Turizmit

“Kemi shumëçka të tregojmë edhe për turizmin kulturor, sidomos trashëgiminë e pasur që shteti ynë e ka” theksoi Hajdari.

Në kryeqytetin Prishtinë është hapur për herë të parë Panairi Ndërkombëtar i Turizmit Kosova 2022.

Panairi, që mblodhi qindra pjesëmarrës, organizohet nga Unioni i Turizmit të Kosovës në partneritet institucional, ndërkombëtar, si dhe në bashkëpunim me Unionin Turistik Shqiptar dhe me vende të ndryshme si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Turqia, Mali i Zi, Bullgaria, Greqia dhe Agjencinë Kombëtare të Turizmit.

Në hapje të panairit morën pjesë përfaqësues të organizatave turistike të vendeve pjesëmarrëse, ambasadorë dhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila tha se Kosova ka shumë për të treguar, sidomos në turizmin kulturor dhe në turizmin natyror.

Ajo tha turizmi është sektor që sjell stabilitet për Kosovën, punësim dhe se është garanci për të rinjtë për më shumë vende pune.

“Kemi shumëçka të tregojmë edhe për turizmin kulturor, sidomos trashëgiminë e pasur që shteti ynë e ka. Të gjitha këto potenciale nëse ne i sjellim në pah dhe i lidhim si ofertë turistike për vendin tonë, përveç turizmit, sjellin një stabilitet të shtetit tonë” theksoi Hajdari.

Kryetari i Unionit të Turizmit në Kosovë, Baki Hoti, tha se ky është viti parë i mbajtjes në Kosovë të këtij panairi ndërkombëtar të turizmit. Ai shtoi se pret që çdo vit e më shumë të rritet numri i të ftuarve dhe partnerëve.

“Kemi biznese nga shtatë vende të rajonit çka na gëzon fakti për shkak se ju e dini që panairet janë pikëtakim në mes të komunitetit për të parë mundësinë e bashkëpunimit”, theksoi Hoti.

Në hapje të panairit morën pjesë edhe presidenti i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, kryetari i Organizatës Turistike të Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, drejtori i Agjencisë Kombëtare për Promovim të Turizmit në Maqedoninë e Veriut, Ljupço Janevski, si dhe ambasadorët e Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Ky panair theks të veçantë ka promovimin e turizmit të Kosovës, si dhe të krijojë lidhje më të forta bashkëpunimi me subjekte të ndryshme të turizmit në rajon dhe më gjerë.

Në ditën e parë të këtij panairi dyditor do të nënshkruhet edhe memorandumi për bashkëpunim mes Unionit të Turizmit të Kosovës (UTK) dhe Agjencisë për Promovim dhe Përkrahje të Turizmit në Maqedoninë e Veriut.

Kategoritë
EkonomiLajmeLajmet KryesoreVendi