Prishtinë, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj priti në takim homologun letonez Artis Pabriks

Ministri Mehaj pas takimit me homologun letonez tha se përvoja e shtetit të Letonisë për Kosovën dhe rrugën e saj drejtë anëtarësimit në NATO është shumë e rëndësishme

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, priti me nderime ushtarake në takim ministrin e Mbrojtjes së Letonisë, Artis Pabriks, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Mehaj pas takimit me homologun letonez tha se përvoja e shtetit të Letonisë për Kosovën dhe rrugën e saj drejtë anëtarësimit në NATO është shumë e rëndësishme.

Ai tha se ekipet e të dyja shteteve në nivel ekspertësh janë pajtuar që të angazhohen, analizojnë, vlerësojnë dhe dizajnojnë projekte të përbashkëta sa i përket bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes për të dyja shtetet.

“Për ne që jemi ende në fazën e zhvillimit të aftësive dhe kapaciteteve operacioale, përvoja e Letonisë si vend anëtar i NATO-s dhe i Evropës është shumë me rëndësi për shtetndërtimin dhe fazat të cilat po i kalon Kosova dhe ushtria e saj. Ministritë tona kanë vendosur bashkëpunim bilateral gjatë një dekade. Me zotëri Pabriks jemi dakorduar sot për ngritje të intensifikimit të aktiviteteve tona të përbashkëta sidomos në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”, tha Mehaj.

Ministri Pabriks, i cili tha se për herë të parë në Kosovë ishte para dhjetë vjetësh, ndërsa kjo është hera e dytë, theksoi se Kosova ka shënuar progres të madh gjatë kësaj periudhe.

Ai tha Kosova dhe Letonia do të bashkëpunojnë në të ardhmen në fushën e politikës dhe ekonomisë.

Në atë të ekonomisë, siç tha ai, bashkëpunimi do të jetë për teknologji, ushqim, rroba apo edhe kategori të tjera ku mbrojtja kosovare e sheh të nevojshme.

“Do të ishim të lumtur që t’ju mbështesnim në rrugën tuaj për t’u bërë anëtarë të NATO-s e Bashkimit Evropian, edhe pse e dimë se sa e vështirë është kjo rrugë, ngase edhe ne kemi kaluar nëpërmjet saj. Pra, mendoj se ne jemi gjithmonë gati ta ndajmë këtë përvojë me ju, siç e kemi bërë këtë me Ukrainën, Gjeorgjinë, Moldavinë dhe disa vende tjera edhe këtu në Ballkan. Ne shohim se ka nevojë për ndihmë nga ne, njerëzit tanë e gjithashtu edhe nga ushtarët tanë”, tha Pabriks.

Në kuadër të Misionit të Forcave Paqeruajtëse në Kosovë (KFOR) shërbejnë rreth 150 ushtarë nga shteti i Letonisë.

Kategoritë
LajmeVendi