Programi për turizëm të sigurt në Turqi edhe më i sigurt me vaksinimin e punonjësve turistikë

Turqia ka filluar me vaksinimin e plotë të punonjësve në sektorin e turizmit në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vaksinimi zhvillohet në koordinim me Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Agjencinë për Promovimin dhe Zhvillimin e Turizmit në Turqi (TGA).

Agjencia tha se programi i vaksinimit do t’i përfshijë punonjësit e aviokompanive, aeroporteve, kapacitetet akomoduese, agjencitë e udhëtimit dhe udhëzuesit profesionalë.

Vaksinimi i të gjithë personelit në sektorin e turizmit është planifikuar të përfundojë para fillimit të sezonit veror 2021.

“Në kuadër të ‘Programit për Certifikimin e Turizmit të Sigurt’, vaksinimi synon të mirëpresë turistët e huaj për sezonin e ardhshëm të verës dhe të sigurojë shëndetin dhe sigurinë e punonjësve në sektorin e turizmit si dhe të banorëve”, tha Agjencia për Promovimin dhe Zhvillimin e Turizmit në Turqi.

Si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme në luftën kundër COVID-19 dhe përforcimin e mëtejshëm të pozicionit të saj si një nga destinacionet më të sigurta në botë, Turqia vazhdon të investojë në “Programin e Certifikimit të Turizmit të Sigurt” i cili është një nga shembujt e parë dhe më të suksesshëm në botë në këtë fushë.

Vendi ka zgjeruar fushën e certifikimit dhe e ka bërë të detyrueshëm certifikimin e ambienteve të akomodimit me 30 ose më shumë dhoma. Deri më tani, mbi 8.000 objekte janë certifikuar.

“Për shkak se Turqia pret sërish një rritje të udhëtimeve turistike (në formën e shkronjës V), vaksinimi i fuqisë punëtore në sektorin e turizmit është një prioritet”, thonë nga Agjencia.

Më tej nga Agjencia theksojnë se Turqia po merr të gjitha masat për të siguruar se ajo të mbetet një destinacion i shëndetshëm dhe i sigurt turistik në vitin 2021 dhe të jetë një nga zgjedhjet e para si një opsion i sigurt për turistët e huaj që do të udhëtojnë.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit në botë, Turqia zbatoi “Programin e Certifikimit të Turizmit të Sigurt” për sezonin turistik 2020. Programi përfshin një sërë masash që duhet të merren përmes një game të madhe të elementeve të lidhura, përfshirë ushqimin dhe pijet, transportin dhe akomodimin për të siguruar shëndetin dhe mirëqenien e personelit dhe mysafirëve vendas dhe të huaj.

Kategoritë
BotaLajme