Projektligji për Inspektorë përplasë pozitë-opozitë, kjo e fundit kërkon të tërhiqet

Shqyrtimi në parim i Projektligjit për Inspektimet, ka qenë temë diskutimi në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, raporton Ekonomia Online.

Opozita kërkoi që të tërhiqet ky Projektligj, pasi sipas tyre nuk do të funksionojë në tërësi.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se Projektligji për Inspektimet duhet të procedohet sa më parë.

“Parimisht dua të potencoj që ky Projektligj të shkojë sa më parë për procedim për shkak të inspektimit të tregut dhe duke pasur parasysh rreziqet në treg nga produktet e huaja. Unë pres edhe rekomandime nga anëtarët e këtij komisioni që të japin sugjerimet e juaja”,

Anëtari i këtij Komisioni, deputeti i AAK-së Pal Lekaj, tha se zyra e kryeministrit po tenton t’i kontrollojë edhe inspektimet.

“Dua ta di sa i përket këtij ligji që përse të konstatohet inspektorati me një agjenci. Cilat kanë qenë mangësitë e funksionimit të inspektoratit ne këtë drejtim, dhe pse duhet ta marrë këtë të drejtë zyra e kryeministrit”.

“A është politike që çdo gjë ta kontrollojë kryeministri apo pse. Për mua është e papranueshme që i tërë inspektori ati të jetë në zyrën e kryeministrit, pra kështu e shoh si rrezik”, pyeti Lekaj

Në përkrahje këtij Projektligji doli anëtarja nga VV-ja, Mimoza Kusari-Lila. Madje ajo tha se me këtë Projektligj është pajtuar edhe Banka Botërore, e cila sipas saj ,ka premtuar përkrahje në këtë drejtim.

“Ka shumë vite që ky projektligj është kërkuar, e sidomos nga Banka Botërore, e kërkoi reforma në fushën e inspektimit, gjë që është premtuar fonde në këtë drejtim”.

“Kemi probleme me funksionim të inspektorëve, një kryetar komune thërret një inspektor tjetër, ndërkaq ministri dikën tjetër, por me këtë bashkërendim tregohet saktë funksionalizimi i inspektorëve dhe serioziteti i Kosovës”.

Ministrja Hajdari, tha se ky Projektligj ka qenë duke pritur në këtë ministri dhe se nuk është iniciuar nga kjo Qeveri.

“Pse duhet të kemi një strukturë të tillë koordinuese, dhe ky projektligj nuk është iniciuar nga kjo qeveri por që e kam gjetur si draft në ministri që ka pritur për shumë vite për procedim, dhe partnerët ndërkombëtarë kanë pritur që të miratohet ky Projektligj”.

“Është shumë e nevojshme që të koordinojmë inspektorët sepse nuk mund të kryejmë punë me inspektorët e tregut nëse nuk i kemi edhe inspektorët e ushqimit dhe veterinës”.

“Nuk është se po dëshirojmë që ta kemi në dorë, por që është Projektligj që kërkojnë reformë në fushat inspektuese”, tha Hajdari.

Ndërkaq kryetari i këtij Komisioni, Ferat Shala, pyeti për koston e këtij Projektligji, raporton EO.

“Nuk jam ithtar i procedimeve të projektligjeve me procedurë të shpejtë. Nëse preken 30 trupa, mundësia e nxjerrjes së një ligji të zbatueshëm do të jetë shumë i vogël. Mandej nuk u tregua kostoja e këtij Projektligji, sa është kostoja e këtij Projektligji”, pyeti Shala.

Ndërsa ministrja Hajdari tha se kostoja e këtij Projektligji është 1 milion euro e që është ndarë nga zyra e kryeministrit, ndërsa platforma e funksionimit do të kushtojë 500 mijë euro.

Abelard Tahiri, nga PDK-ja kërkoi që ky Projektligj të tërhiqet, pasi sipas tij, mund të jetë anti-Kushtetues.

“Është mirë që ta tërheqin këtë projektligj dhe nuk po besoj që është e gatshme të krijohet. Po mendoni që me një kapak t’i zgjidhni problemet”.

“Pra është mirë që ta tërheqin, të dihen qartë kompetencat e këtij komisioni sepse besoj se mund të ndeshet me ligj, madje edhe me Kushtetutë”, tha Tahiri, raporton EO.

Ndërsa Mimoza Kusari-Lila tha se i njëjti Projektligj ka qenë në ministri në kohën kur ajo ka udhëheq me këtë dikaster.

Ky Projektligj, nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për t’u proceduar më tutje.

Kategoritë
LajmeVendi