Protagonistja e “Harry Potter”, Emma Watson, solidarizohet me Palestinën

Aktorja britanike, Emma Watson, ka shprehur solidaritetin me aktivistët propalestinezë në mediat sociale duke ngjallur reagime nga zyrtarë aktualë e ish-zyrtarë izraelitë, por edhe lavdërime nga përdoruesit propalestinezë të medias sociale.

E njohur për rolin e Hermione Granger në filmat “Harry Potter”, Emma Watson ripostoi të dielën në rrjetin social “Instagram” një postim të majit nga “Bad Activist Collective” që i përshkruan aktivistët propalestinezë duke marshuar me parullat “Solidariteti është një veprim” të shfaqura dukshëm në imazh.

Watson e shoqëroi postimin e saj me një citim nga studiuesja britaniko-australiane, Sara Ahmed, sipas të cilës “solidariteti nuk supozon se betejat tona janë të njëjtat beteja, ose se dhimbja jonë është e njëjta dhimbje, ose se shpresa jonë është për të njëjtën të ardhme”.

“Solidariteti përfshin angazhimin dhe punën, si dhe njohjen se edhe nëse nuk kemi të njëjtat ndjenja, ose të njëjtat jetë, ose të njëjtat trupa, ne jetojmë në terren të përbashkët”, shton citati i saj.

Postimi i Watson mori një vlerësim të gjerë nga përdoruesit propalestinezë të platformës “Instagram”, disa prej të cilëve e falënderuan atë për mbështetjen e saj në seksionin e komenteve dhe postuan flamurin e Palestinës, ndërsa shumë të tjerë vendosën hashtaget #FreePalestine dhe #PalestineWillBeFree.

Krahas roleve të saj në ekranin e madh, 31-vjeçarja Watson është ambasadore e Vullnetit të Mirë të OKB-së për Gratë.

I dërguari i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Gilad Erdan, e kritikoi ashpër postimin e saj duke e sulmuar artisten në “Twitter” me këto fjalë: “Trillimi mund të funksionojë në «Harry Potter», por nuk funksionon në realitet.” Atij iu bashkua edhe pararendësi i tij, Danny Danon, i cili akuzoi aktoren britanike si “antisemite”.

Leah Greenberg, bashkëdrejtoreshë ekzekutive e grupit të avokatisë progresive “Indivisible Guide”, hodhi poshtë akuzat e ish-ambasadorit Danon duke thënë se ato janë “një demonstrim i përsosur i armatosjes krejtësisht cinike dhe dashakeqe të antisemitizmit për të heshtur shprehjet themelore të solidaritetit me popullin palestinez”.

Përveç shkollimit në Universitetin e Oksfordit, Emma Watson ka një diplomë në Gjuhë dhe Letërsi Angleze nga Universiteti “Brown” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kategoritë
BotaLajme