Protesta në mbarë Serbinë, kjo është arsyeja

Qindra qytetarë po protestojnë në Beograd dhe disa qytete të tjera në mbarë Serbinë, për të kundërshtuar ndryshimet ligjore, që sipas tyre favorizojnë kompanitë private në dëm të qytetarëve dhe mjedisit.

Kjo është fundjava e dytë me radhë që qytetarët protestojnë kundër vendimeve të fundit të autoriteteve për të ulur pragun e referendumit dhe për të lejuar shpronësimin e shpejt të pronës private, nëse autoritetet e vlerësojnë se është në interes të publikut.

Këto protesta vijnë pas dekadash të neglizhencës, pasi Serbia përballet me probleme të mëdha mjedisore siç janë ndotja e ajrit dhe ujit, menaxhimi i dobët i mbeturinave dhe çështje të tjera.

Protesta më 4 dhjetor nisi në ora 14:00, teksa protestuesit bllokuan trafikun në një autostradë në Beograd si dhe një urë në Novi Sad, ndërkaq bulevardi kryesor i Novi Sadit u bllokua pjesërisht.

Tubime të ngjashme po mbahen edhe në qytete të tjera të Serbisë.

Para nisjes së tubimeve, Ministria e Brendshme serbe paralajmëroi se bllokimet e rrugëve janë të jashtëligjshme.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk do të ndërmerren veprime ndaj protestuesve “për aq kohë sa ata nuk vënën në rrezik jetën dhe pronën e qytetarëve dhe institucioneve”.

Më 27 nëntor, mijëra protestues bllokuan rrugë dhe ura në Beograd, Novi Pazar, Zrenjanin, Shabac, Kragujevc dhe qytete të tjera serbe.

Disa protestues u arrestuan gjatë këtyre protestave.

Protestave, që po organizohen nga organizata joqeveritare, u janë bashkuar edhe përfaqësuesit e disa partive opozitare dhe shoqatave lokale.

Grupet e mjedisit dhe organizatat e shoqërisë civile argumentojnë se ndryshimet e fundit ligjore në Ligjin për Shpronësim dhe Ligjin për Referendum do të hapin rrugën për kompanitë e huaja për të anashkaluar pakënaqësitë e qytetarëve për projektet, siç është edhe projekti i kompanisë Rio Tinto që ka nisur ndërtimin e një miniere të litiumit në perëndim të Serbisë.

Autoritetet serbe kanë hedhur poshtë akuzat, duke thënë se ligjet e miratuara ishin të nevojshme për shkak të projekteve infrastrukturore.

Vuçiq është shprehur se do të mbahet referendum lidhur me minierën e Rio Tintos.

Ekspertët kanë paralajmëruar se ndërtimi i minierës së litiumit në perëndim të Serbisë, do të shkatërronte tokat bujqësore dhe do t’i ndoste ujërat.

Kompania Rio Tinto ka thënë se do të respektojë të gjitha ligjet serbe dhe ka mohuar se projekti për minierën rrezikon mjedisin.

Kategoritë
LajmeRajoni