Pse çmimet globale të ushqimeve, janë sot më të larta sot se kurrë më parë?

Nga Alastair Smith “The Conversation

Këtë muaj çmimet globale të ushqimeve u rritën me gati 33 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo shifër raportohet nga Indeksi i përmuajshëm i Çmimeve të Ushqimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO).

Ai ka zbuluar gjithashtu se çmimet globale janë rritur me më shumë se 3 për qind, që nga korriku po i këtij viti, duke arritur nivele të papara që nga viti 2011. Indeksi i Çmimeve të Ushqimit, është krijuar për të përshkruar rezultatin e kombinuar të ndryshimeve të çmimit mbi një sërë mallrash ushqimore, përfshirë vajrat vegjetale, drithërat, mishin dhe sheqerin, duke i krahasuar ato muaj pas muaji.

Ai i konverton çmimet aktuale në një indeks,duke i krahasuar me nivelet mesatare të çmimeve midis viteve 2002-2004. Ky është burimi standard për gjurmimin e çmimeve globale të ushqimeve, të cilat nuk janë përshtatur me inflacionin speficik në vende të caktuara apo atë global.

Ndërsa çmimet nominale na tregojnë koston monetare të blerjes së ushqimit në treg, çmimet e përshtatura ndaj inflacionit (ato që ekonomistët i quajnë çmime “reale”), janë shumë më të rëndësishme për sigurinë ushqimore. Pasi tregojnë sesa sa lehtë mund të kenë njerëzit qasje në ushqimet e duhura.

Çmimet e të gjitha mallrave dhe shërbimeve, priren të rriten më shpejt se sa të ardhurat mesatare (edhe pse jo gjithnjë). Inflacioni nënkupton se jo vetëm që blerësit duhet të paguajnë më shumë për një produkt (për shkak të rritjes së çmimit të tij nominal).

Por ata kanë proporcionalisht më pak para për të shpenzuar për të, duke pasur parasysh rritjen paralele të çmimeve të gjithçkaje tjetër, përveç rrogave dhe të ardhurave të tjera. Muajin e kaluar, unë analizova Indeksin e Çmimeve të Ushqimit të FAO-s, të rregulluar sipas inflacionit, dhe zbulova se çmimet reale globale të ushqimit ishin në fakt më të larta sesa

në vitin 2011, kur kriza ushqimore ndihmoi në rrëzimin e qeverive autoritare në Libi dhe Egjipt.

Bazuar në çmimet reale, është aktualisht më e vështirë të blesh ushqime në tregun ndërkombëtar sesa në gati çdo vit tjetër, që kur filloi regjistrimi i çmimeve nga OKB-ja në vitin 1961. Përjashtimet e vetme janë vitet 1974-1975.

Ato kulme të çmimeve ushqimore, ndodhën pas rritjes së çmimit të naftës në vitin 1973, që rriti me shpejtësi inflacionin në shumë pjesë të ekonomisë globale, përfshirë prodhimin dhe shpërndarjen e ushqimit. Po çfarë po e nxit sot rritjen e çmimeve të ushqimeve?

Çmimet e karburantit, moti i keq dhe Covid-19

Faktorët kryesorë nxitës të çmimeve mesatare ndërkombëtare të ushqimeve, janë gjithmonë të ndërlikuar. Çmimet e mallrave të ndryshëm rriten dhe ulen në bazë të faktorëve universalë, por edhe atyre specifikë për çdo mall dhe çdo rajon.

Për shembull, rritja e çmimit të naftës, e cila nisi në prillin e vitit 2020, ka ndikuar në çmimet e të gjitha produkteve ushqimore në indeksin e FAO-s, duke rritur kostot e prodhimit dhe transportit të ushqimit.

Mungesat e krahut të punës që shkaktoi pandemia e Covid-19, e ka zvogëluar disponueshmërinë e punëtorëve për të kultivuar, korrur, përpunuar dhe shpërndarë ushqime, që përbën një tjetër arsye universale të rritjes së çmimit të mallrave ushqimore.

Në fakt, çmimi mesatar real i ushqimeve është rritur që nga viti 2000, duke përmbysur trendin e mëparshëm të një rënieje të qëndrueshme nga fillimi i viteve 1960. Pavarësisht përpjekjeve globale – të cilat pjesërisht kanë lidhje me objektivat e përcaktuara nga Zhvillimi i Mijëvjeçarit i OKB -së ashtu edhe nga Synimet e Mëvonshme të Zhvillimit të Qëndrueshëm për të zvogëluar urinë – çmimet e kanë bërë ushqimin në mënyrë të qëndrueshme më pak të arritshëm për shumë popullata.

Asnjë produkt i vetëm, nuk ka qenë vazhdimisht përgjegjës për rritjen mesatare të çmimit real që nga viti 2000. Por indeksi i çmimeve të drithërave nga të cilat prodhohet vaj, është rritur ndjeshëm që nga marsi i vitit 2020, i nxitur kryesisht nga rritja e çmimit të vajrave vegjetale në mbi 16.9 për qind midis viteve 2019-2020.

Sipas raporteve të FAO-s, kjo ndodhi për shkak të kërkesës në rritje për bio-naftën dhe motit të pafavorshëm. Kategoria tjetër e ushqimeve, që ndikon më shumë në rritjen e përgjithshme të çmimit të ushqimeve është sheqeri. Këtu faktori kryesor është sërish moti i pafavorshëm, përfshirë dëmtimet nga ngricat në Brazil, gjë që ka reduktuar eksportet duke rritur ndjeshëm çmimet.

Drithërat kanë pasur më pak ndikim në rritjen e përgjithshme të çmimeve. Por qasja ndaj tyre në të gjithë botën, është veçanërisht e rëndësishme për sigurinë ushqimore. Gruri, elbi, misri, sorgumi dhe orizi, përbëjnë të paktën 50 për qind të ushqimit global, dhe deri në 80 për qind të ushqimit në vendet më të varfra.

Rezervat globale të këtyre të lashtave, janë zvogëluar që nga viti 2017, pasi kërkesa e ka tejkaluar ofertën. Zbrazja e dyqaneve, ka ndihmuar në stabilizimin e tregjeve globale, por çmimet janë rritur ndjeshëm që nga viti 2019.

Sërish, arsyet e këtyre luhatjeve janë të ndërlikuara. Por diçka që meriton vëmendje ka të bëjë me numrin e herëve që nga viti 2000, kur “moti i paparashikueshëm dhe i pafavorshëm” është raportuar nga FAO si shkaktari i “pritshmërive të ulëta mbi të korrat”, “të korrave të dëmtuara nga moti” dhe për “rënie të prodhimit”.

Evropianët mund të shqetësohen për çmimin e makaronave, teksa thatësira e gjatë në Kanada gjatë këtij viti ka dëmtuar shumë të korrat e grurit. Por, ndërsa indeksi real i çmimeve të drithërave, është afër niveleve që përshkallëzuan trazirat mbi çmimin e bukës, në kryengritje të përgjithshme në vitin 2011, ekziston një nevojë edhe më emergjente për t’u marrë parasysh, se si komunitetet në rajonet më pak të pasura, mund t’i përballojnë këto sfida duke shmangur trazirat.

Kapaciteti teknologjik si dhe organizimi ynë socio-ekonomik, nuk mund të menaxhojnë dot me sukses motin e paparashikueshëm dhe të pafavorshëm. Tani është momenti i duhur që të mendohet se si do të furnizohemi me ushqime në një botë më të ngrohtë, me më shumë se 2 gradë Celcius, një rezultat që sipas raportit më të fundit të Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike konsiderohet tashmë gjithnjë e më i mundshëm.

Pa ndërmarrë ndryshime rrënjësore, degradimi i klimës do të vazhdojë duke e zvogëluar qasjen ndërkombëtare tek ushqimet e importuara, përtej çdo precedenti të mëhershëm në histori. Çmimet më të larta do ta zbehin ndjeshëm sigurinë ushqimore, dhe nëse ekziston një ligj i qëndrueshëm i shkencave sociale, ai është se njerëzit e uritur ndërmarrin shpesh hapa radikalë për të siguruar jetesën e tyre, dhe sidomos aty ku perceptohet se udhëheqësit kanë dështuar.

*Shënim: Alastair Smith, anëtar i Qendrës për Zhvillimin e Qëndrueshëm Global, Universiteti Uoruik, Britania e Madhe.

Kategoritë
Ekonomi