Pse hebrenjtë ultra-ortodoks janë kundër masave të koronavirusit dhe vaksinës?

Hebrenjtë Haredim akuzohen për përhapjen e pandemisë në të gjithë vendin pasi nuk pranojnë të respektojnë kufizimet dhe të marrin vaksinën kundër virusit COVID-19

Hebrenjtë ultra-ortodoks ose Haredim kohët e fundit kanë dalë në qendër të vëmendjes pasi mbajtën një seri protestash kundër masave të marra nga qeveria izraelite për parandalimin e përhapjes së pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Hebrenjtë Haredim, të cilët përbëjnë rreth 10 për qind të popullsisë së Izraelit, akuzohen për përhapjen e pandemisë në të gjithë vendin pasi nuk pranojnë të respektojnë kufizimet dhe të marrin vaksinën kundër virusit COVID-19.

Më 9 shkurt, hebrenjtë Haredi u përplasën me policinë gjatë demonstratave kundër kufizimeve të vendosura nga autoritetet në luftën kundër COVID-19.

Javën e kaluar, makina e ekipit të AA-së u sulmua nga hebrenjtë Haredi në Kudsin Perëndimor përderisa reporterët po kryenin një intervistë në rrugë në lagjen Mea She’arim, ku banon një popullsi e madhe Haredi.

Në intervistë, korrespondentët e AA-së biseduan me disa hebrenj Haredi për pikëpamjet e tyre mbi masat e vazhdueshme të koronavirusit dhe fushatën e vaksinimit në vend.

Hamo, një nga hebrenjtë Haredi, theksoi se ai nuk beson në shifrat zyrtare të koronavirusit të shpallura nga autoritetet, duke i përshkruar ato si një “gënjeshtër të madhe”.

“Ata mbyllin të gjitha vendet në festat tona si Pashkët dhe Purimin me pretekstin e parandalimit të përhapjes së virusit, por ata lejojnë 20.000 njerëz të mbajnë demonstrata para shtëpisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu”, tha Hamo.

Disa të tjerë, megjithatë, vunë re se shumica e komunitetit Haredi zbaton masat e virusit.

“Mbi 80 për qind e popullatës Haredi pajtohet me masat e koronavirusit dhe merr vaksinën. Përqindja e atyre që janë kundër masave dhe vaksinimit është më pak se 10 për qind”, theksoi Samuel Deutsch, një menaxher banke në Mea She’arim.

Duke kritikuar protestat kundër kufizimeve dhe përplasjeve me policinë izraelite, Deutsch tha se “udhëzimet duhet të zbatohen”.

Avi Moskof, një tjetër student në Yeshiva, tha se shumica e njerëzve në Izrael besojnë në ekzistencën e koronavirusit, por njerëzit që jetojnë në Mea She’arim nuk besojnë në një gjë të tillë.

Moskof tha se ata mbanin banderola ku shkruhej “vaksina e virusit është shumë e rrezikshme dhe kushdo që merr vaksinën do të vdesë”.

“Unë jam gjithashtu anëtar i komunitetit Haredi. Shumica e tyre janë të kujdesshëm në zbatimin e masave të koronavirusit”, potencoi ai.

Shumica dërrmuese e hebrenjve ultra-ortodoks refuzojnë të kryejn shërbimin ushtarak në Izrael me arsyetimin se nuk mund të përmbushin detyrat e tyre fetare. Kundërshtimi i tyre ndaj shërbimit ushtarak shpesh shkakton tensione me forcat e sigurisë.

Hebrenjtë Haredi, që jetojnë kryesisht në qytetet Kuds dhe Bnei Brak, nuk e pranojnë sistemin arsimor laik në vend, kurse shkollimin e ndjekin vetëm në shkollat e tyre fetare.

Kategoritë
BotaLajme