Publicistja shqiptare Bahiti mesazh me rastin e përvjetorit të puçit të dështuar në Turqi

“Qëllimi ishte fillimi i luftës civile në Turqi dhe shkatërrimi i brendshëm i Turqisë, sipas modelit te Jemenit”, shkroi Bahiti

Publicistja shqiptare Anisa Bahiti publikoi një mesazh me rastin e 15 Korrikut, Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, që shënon përvjetorin e tentativës për grusht shteti në Turqi në vitin 2016, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke shpërndarë një fotografi të saj me flamurin turk në llogarinë e saj në Facebook, Bahiti kujtoi se sot është pesëvjetori i përpjekjes për grusht shteti në Turqi.

Ajo po ashtu rikujtoi se ngjarja në fjalë shkaktoi 251 viktima dhe mijëra të plagosur.

“Pamjet, kur avionët ushtarakë të marrë nën kontroll nga puçistët qëllonin dhe shkatërronin objektivat civilë dhe qytetarë të pafajshëm, do të mbeten të paharruara në kujtesën e brezit tonë”, është shprehur Bahiti.

Ajo theksoi se organizata terroriste FETO dhe ata që e mbështesnin atë, kishin për qëllim eliminimin fizik të Presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan dhe të drejtuesve të tjerë të shtetit turk.

“Pavarësisht se ata që qëlluan dhe vranë ishin shtetas turq, mendjet e holla që qëndronin pas këtij grusht shteti qëndronin shumë larg, qëllimi ishte fillimi i luftës civile në Turqi dhe shkatërrimi i brendshëm i Turqisë, sipas modelit te Jemenit”, shkroi Bahiti.

“Zoti shpëtoi Turqinë, qytetarët e saj dhe drejtuesit e saj, me në krye presidentin Erdoğan pesë vite me parë dhe kjo për një të ardhme të ndritur të një kombi të madh e të një shteti modern e me prosperitet”, shtoi ajo.

Publicistja Bahiti po ashtu tha se tentativa për grusht shteti në Turqi “padyshim që për historinë më të re të vetë Turqisë po edhe të botës është një ndër ato ngjarje që lënë impakt të madh për historinë njerëzore”.

Kategoritë
LajmeTë ndryshme