Punëtorët vietnamezë në fabrikën kineze në Serbi thërrasin për ndihmë

Ata dridhen nga të ftohtit në baraka pa ngrohje. Janë të uritur dhe nuk kanë para. Pasaportat e tyre janë marrë nga punëdhënësi i tyre kinez dhe janë të ngujuar tash në një fushë të zymtë në Serbi pa ndihmën e autoriteteve lokale.

Bëhet fjalë për punonjësit vietnamezë që po ndihmojnë të ndërtohet fabrika e parë kineze e gomave të veturave në Evropë. Associated Press ka vizituar punishten në veri të Serbisë, ku afro 500 punonjës po jetojnë në kushte të vështira, ndërsa kompania kineze Shandong Linglong Tire Co. po e ndërton fabrikën e madhe.

Projekti, të cilin zyrtarët serbë e kinezë e quajtën si shfaqje të “partneritetit strategjik” mes dy shteteve, është përballë me kritika nga ambientalistët mbi ndotjen potencialisht të rrezikshme nga prodhimi i gomave.

Tash, është tërhequr vëmendje edhe e grupeve të të drejtave të njeriut në Serbi, që kanë paralajmëruar se punonjësit mund të jenë viktima të trafikimit të qenieve njerëzore apo edhe skllavërisë.

“Jemi dëshmitarë të shkeljeve të të drejtave të njeriut, pasi vietnamezët (punonjësit) po punojnë në kushte të tmerrshme”, ka thënë aktivisti serb Misho Zhivanov i “Zrenjaninska Akcija”, një organizatë joqeveritare.

Ai po fliste nga magazinat e zymta njëkatëshe ku punonjësit vietnamezë janë duke jetuar.

“Pasaportat e tyre dhe dokumentet e identifikimit janë marrë nga punëdhënësi i tyre kinez. Janë këtu që nga maji, dhe kanë marrë vetëm një pagë. Po mundohen të kthehen në Vietnam, por së pari duhet të marrin dokumentet e tyre”, ka thënë Zhivanov.

Punonjësit bëjnë gjumë në krevate të marinarëve pa dyshekë, në baraka ku nuk ka ngrohje apo ujë të nxehtë. Ata kanë treguar për “AP” se nuk kanë marrë fare kujdes mjekësor edhe kur kanë zhvilluar simptome të COVID-19. Thjeshtë u është thënë nga menaxherët e tyre të qëndrojnë në dhomat e tyre.

Nguyen Van Tri, një nga punonjësit, thotë se asgjë nuk është përmbushur nga kontrata e punës që e firmosi në Vietnam para se të bënte rrugën e gjatë për në Serbi.

“Që kur arritëm këtu, asgjë e mirë. Çdo gjë është ndryshe nga dokumentet që nënshkruam në Vietnam. Jeta është e keqe, ushqimi, ilaçet, uji…çdo gjë është e keqe”, ka thënë ai.

Image
Duke mbathur sandale dhe e duke u dridhur nga të ftohtit, ai tha se rreth 100 punonjës që jetojnë në të njëjtat baraka janë futur në grevë për të protestuar për gjendjen e tyre të vështirë dhe disa prej tyre janë pushuar nga puna për shkak të kësaj.

Kompania Linglong nuk i është përgjigjur telefonatave të agjencisë AP për të komentuar këtë çështje, por për mediat serbe ka mohuar se kompania është përgjegjëse për punonjësit, duke i lënë fajin për situatën kompanisë nënkontraktuese dhe agjencive të punësimit në Vietnam. Ka thënë se kompania nuk ka punësuar punonjësit vietnamezë në radhë të parë. Ka premtuar se dokumentet do t’u kthehen punonjësve dhe se ato ishin marrë për t’u vulosur lejet e punës dhe lejeqëndrimet.

Kompania ka mohuar se punonjësit jetojnë në kushte të këqija dhe ka thënë se pagat e tyre mujore janë paguar në përputhje me numrin e orëve të punës.

Serbia që drejtohet nga populistët është një pikë kyçe për zgjerimin e Kinës dhe politikat e saj të investimeve në Evropë. Dhe kompanitë kineze kanë mbajtur të mbyllura projektet e tyre, mes raportimeve se ato bien në ndesh me ligjin kundër ndotjes dhe rregulloret e punës në shtetin në Ballkan.

Bankat kineze kanë dhënë miliardë dollarë kredi për Serbinë për të financuar kompanitë kineze që ndërtojnë autostrada, hekurudha dhe fabrika dhe punësojnë punëtorët e tyre të ndërtimit. Nuk është hera e parë që grupet e të drejtave vënë në pah mundësinë e shkeljes eventuale të drejtave të punëtorëve, përfshirë këtu shkeljen e të drejtave të minatorëve kinezë në një minierë bakri në lindje të Serbisë.

Pas disa ditëve heshtjeje, zyrtarët serbë folën kundër kushteve “çnjerëzore” në vendin e ndërtimit, por shpejt nxituan për të minimizuar përgjegjësinë kineze për gjendjen e rëndë të punëtorëve.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, tha se ajo nuk e përjashton se “sulmi kundër fabrikës Linglong” është organizuar nga “ata kundër investimeve kineze” në Serbi, duke iu referuar kritikave të vazhdueshme nga Perëndimi se projektet kineze nuk janë transparente, janë ekologjikisht të dyshimta dhe janë të projektuara nga Pekini për të shtrirë ndikimin e tij politik në Evropë.

“Në fillim ishte mjedisi. Tash e harruan këtë dhe janë fokusuar te punonjësit aty. Nesër do të jetë diçka tjetër”, thotë ajo.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të premten se një inspektor serb i punës është dërguar në kantierin e ndërtimit të Linglongut në Zrenjanin, por është i hapur në lidhje me rezultatin e pritur të gjetjeve eventuale.

“Çfarë duan ata? A duan që ne të shkatërrojmë një investim 900 milionë dollarë?” – ka pyetur Vuçiq.

Kategoritë
LajmeRajoni