Pyetëm kolonët hebrenj: Përse keni zgjedhur të jetoni në territoret palestineze nën pushtim

Kolonët hebrenj, pothuajse të gjithë të armatosur dhe që jetojnë në Bregun Perëndimor nën pushtimin e Izraelit, e bëjnë edhe më të vështirë jetën për palestinezët.

Kolonët hebrenj, pothuajse të gjithë të armatosur dhe që jetojnë në Bregun Perëndimor nën pushtimin e Izraelit, e bëjnë edhe më të vështirë jetën për palestinezët, shkruan Anadolu Agency (AA).

Numri i personave që jetojnë në mbi 250 njësitë e vendbanimeve të paligjshme të kolonëve në Bregun Perëndimor, sot ka arritur në gjysmë milioni. Shteti i Izraelit për të rritur numrin e kolonëve hebrenj në këto territore që mban nën administrimin ushtarak që prej vitit 1967, ofron shumë privilegje ekonomike, përfshirë përjashtim nga taksat për ata që zgjedhin të jetojnë në këto rajone.

Grupet radikale në mesin e hebrenjve që jetojnë në këto vendbanime që lidhen me njëri-tjetrin dhe me Izraelin me rrugë të veçanta, shpeshherë organizojnë sulme ndaj palestinezëve.

Ma‘ale Adumin në afërsi të Kudsit, me popullsinë prej rreth 70 mijë banorëve është njëri prej vendbanimeve më të mëdha në Bregun Perëndimor.

Ndaj atyre që jetojnë në këto vendbanime ne drejtuam pyetjet: “Përse keni zgjedhur të jetoni në territoret palestineze nën pushtim? A e pranoni se këto janë toka palestineze nën pushtim?”.

Në përgjigjet e pyetjeve morëm përgjigjet në mënyrën: “Këtë vend na e ka dhënë Zoti”.

Gruaja kolone hebreje me origjinë nga Ukraina, Ester e cila nuk zbuloi mbiemrin dhe profesionin e saj tha se “Ashtu sikur thuhet në Teurat këtë vend na e ka dhënë Zoti. Dhe, Zoti na tha neve se duhet të jemi këtu. Ne ndodhemi këtu sepse na e ka thënë Zoti që të jemi këtu”.

Pyetje: “Këtu kishte njerëz që jetonin përpara jush, çfarë mendoni rreth atyre?”

Ester: “Nuk e kuptova?”

Pyetje: “Këtu ka pasur palestinezë që jetonin dhe në luftë…”

Ester: (Filloi të largohet duke reaguar) “Më vjen keq nuk dua të bëhem pjesë e kësaj! Këtu është vendi ynë!”.

“Ndodhem këtu për t‘ia bashkuar Bregun Perëndimor Izraelit duke rritur popullsinë e izraelitëve”

Ciceroni i tureve turistike, koloni hebre me origjinë amerikane, David Ha’ivri tha se: “Rajoni Judea dhe Samaria (emërtimi nga Izraeli për Bregun Perëndimor) të cilën ju e emërtoni si Bregu Perëndimor sipas botëkuptimit tim është një pjesë e territoreve izraelite dhe duhet të jetë nën sovranitetin e Izraelit”.

“Të jetoja këtu (Bregu Perëndimor) ishte e rëndësishme për mua për të rritur popullsinë izraelite në terren dhe në këtë mënyrë t’i ofroja një realitet shtetit të Izraelit për t‘ia bashkuar këto territore Izraelit në të ardhmen”, tha ai.

“Po të mos ishim ne, palestinezët do të ishin ende duke jetuar me gomerë”

Pyetje: “Sipas jush, këtu është apo jo tokë palestineze?”

İdan Zendi (kopshtar): “Jo”

Pyetje: “Është tokë izraelite?”

İdan Zendi: “Po”

Pyetje: “Nuk është nën pushtim?”

İdan Zendi: “Jo. Dëgjo. Ka shumë vende ku palestinezët mund të jetojnë. Është Jordania, Iraku, Libani, Siria, Egjipti. Ka shumë vende. Ne kemi vetëm një vend. Në këtë botë të madhe kemi vetëm një vend. Vetëm Izraeli. Po të mos ishim ne, (palestinezët) do të ishin ende duke jetuar me gomerë dhe kuaj. Këtu është vendi ynë. Nëse shikoni historinë, hapni Teuratin ose çdo lloj libri tjetër, nëse lexoni do të shikoni se izraelitët kanë jetuar vite përpara palestinezëve”.

“Territori këtu nuk është nën pushtim, është territor i çliruar”

Marin Takisn (llogaritare): “Për mendimin tim territori këtu nuk është nën pushtim. Sipas meje këtu është një territor i çliruar (nga palestinezët). Po, për mendimin tim, këtu është një pjesë e shtetit të Izraelit”.

“Nuk ka një vend të quajtur Palestinë”

Elyezier Endi (dentist): “Sipas meje ky territor nuk ndodhet nën pushtim”.

Pyetje: “A është pjesë e Izraelit?”

Elyezier Endi: “Sipas meje këtu është një pjesë e Izraelit”.

Pyetje: “I gjithë Bregu Perëndimor?”

Elyezier Endi: “Po po, pjesë e Izrelit po”.

Pyetje: “A nuk ka ndonjë territor të quajtur Palestinë?”

Elyezier Endi: “Besoj që nuk ka”

“Jetoj këtu sepse është më lirë se në vendet e tjera”

Yosi (mësues i cili nuk deshi të zbulojë mbiemrin): “Kam zgjedhur të jetoj këtu për arsye ekonomike. Këtu është shumë më lirë se në vendet e tjera. Është 30 për qind më lirë. Vite më parë atyre që jetonin këtu qeveria u njihte disa privilegje. Por, 20 vite më parë i dhanë fund këtyre privilegjeve”.

Kategoritë
BotaLajme