Qalaj thotë se Policia po sulmohet në veri me të njëjtat mjete që i ka përdodorur LVV-ja, Zyba: Do të jesh përgjegjës

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka thënë se Policia e Kosovës po sulmohet në veri të vendit me mjete të njëjta që tha se i ka përdorur LVV-ja gjatë protestave në opozitë. Atij i reaguan dy deputetë të LVV-së, raporton Gazeta Express

“Policët që janë lënduar e të cilët janë trajtuar jashtë vendit, sot po sulmohen në një pjesë të territorit. Po sulmohen me mjete të ndryshme, pra, të zjarrit. Por po sulmohen edhe me iriqë, të cilët iriqë, të njëjtit janë përdorur në mes të Prishtinës ndaj një kryeministri që ka qenë në atë kohë”, tha ish-komandanti i Policisë.

Qalaj kujtoi protestat e dhunshme të LVV-së, ndërsa foli për refuzimin e pushtetit për ta mbështetur formimin e komisionit hetimor parlamentar për çështjen e energjisë elektrike, të propozuar nga PDK-ja.

“Patëm protesta të dhunshme dhe tentativa me i kallë zyret e qeverisë, ndërtesën e qeverisë me koktej të molotovit për procese të ndryshme. U lënduan policë, u lënduan aktivistë tuaj, u lënduan qytetarët që kanë qëlluar rastësisht dhe ku jemi sot me qëndrime?”, tha ai.

“Ata aktivistë tuaj të cilët janë lënduar, janë arrestuar, janë akuzuar, janë dënuar, sot nuk kanë mundësi pikërisht për shkak të atyre dënimeve të punësohen e as të marrin vizë”, theksoi Qalaj, duke i thënë krejt në fund pozitës “mos harroni, me hajna nuk ka shtet”.

Atij i reagoi deputeti i LVV-së, Artan Abrashi.

“Ai që dikur ishte drejtor i operacioneve të përgjithshme të Policisë së Kosovës, urdhërdhënësi i ndërhyrjes në zyrën e një parie politike me njësinë FIT, dy javë pas përfundimit të misionit të tij në PK, përfundon në listat zgjedhore të PDK-së dhe zgjidhet deputet”, tha ai.

Reagoi edhe deputeti tjetër i LVV-së, Salih Zyba.

“Ky ka qenë aparatura e dhunës së shkaktuar ndaj aktivistëve”, deklaroi ai, duke i thënë “do të jesh përgjegjës”.

Megjithatë, Qalaj tha se ndihet krenar me punën në Polici dhe se ndihet po ashtu krenar që është pjesë e PDK-së.

Kategoritë
LajmeVendi