Qetësi relative mbizotëron në Xhaminë Al-Aksa pas dhunës

Mijëra palestinezë falën namazin e sabahut brenda Xhamisë Al-Aksa.

Qetësi relative mbizotëroi në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të okupuar sot pas një dite sulmesh izraelite kundër besimtarëve palestinezë në vendin e shenjtë, raporton Anadolu Agency (AA).

Mijëra palestinezë falën namazin e sabahut brenda xhamisë pasi policia izraelite u tërhoq nga vendi i trazirave natën kaluar, sipas korrespondentit të AA-së.

Besimtarët brohorisnin parulla në mbrojtje të Xhamisë Al-Aksa duke përshëndetur Brigadat Kassam, krahun ushtarak të grupit të rezistencës palestineze Hamas.

Dhuna shpërtheu të dielën në territoret palestineze pasi policia izraelite sulmoi kompleksin e Xhamisë Al-Aksa dhe besimtarët palestinezë brenda vendit të shenjtë. Më shumë se 300 palestinezë u plagosën në sulmet izraelite brenda kompleksit.

Dhuna erdhi pas thirrjeve të ekstremistëve hebrenj për të sulmuar Xhaminë Al-Aksa për të festuar përvjetorin e Luftës Gjashtëditore të vitit 1967, kur Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, si “Dita e Kudsit” sipas kalendarit hebraik.

Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët. Hebrenjtë e quajnë zonën “Mali i tempullit”, duke pretenduar se aty ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohërat antike.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967 dhe aneksoi gjithë qytetin në 1980, një veprim që nuk është njohur kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.

Kategoritë
BotaLajme