Qeveria e Kosovës miraton masa të reja, kërkohet certifikatë e vaksinimit me tri doza

Në kuadër të masave të reja, çdo person i cili hyn në Kosovë duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit me tri doza, ose edhe me dy doza, por me një test PCR negativ të 48 orëve të fundit

Qeveria e Kosovës nëpërmjet një mbledhjeje elektronike ka miratuar masa të reja të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kuadër të masave të reja, çdo person i cili hyn në Kosovë duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit me tri doza, ose edhe me dy doza, por me një test PCR negativ të 48 orëve të fundit.

Nga kjo kërkesë lirohen ata që hyjnë transit, diplomatët e huaj, fëmijët nën 12-vjeç, e ata që kanë dëshmi mjekësore se janë të liruar nga vaksinimi. Përjashtim bëjnë edhe shtetasit e Kosovës që s’kanë dy doza të vaksinës, por ata duhet të karantinohen në shtëpi për shtatë ditë.

Të gjithë punonjësve të institucioneve publike do t’u kërkohet certifikata me të paktën dy doza të vaksinës.

Sa i përket orës policore, kufizimi i lëvizjes së qytetarëve me vendimin e ri do të jetë nga ora 22:00 deri në orën 05:00, ndërsa deri më tash ora policore fillonte nga ora 00:00 deri në orën 05:00.

Procesi mësimor do të zhvillohet me prani fizike, por task forcat e institucioneve edukative arsimore do të vendosin në vazhdimësi për aplikimin e skenarëve për organizimin e procesit mësimor, varësisht nga gjendja në institucion dhe në klasa.

Mbledhjet në ambiente të mbyllura lejohen me maksimum 30 persona.

Është ndaluar veprimtaria e klubeve të natës dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, apo dasmave e fejesave, ashtu siç është ndaluar edhe mbajtja e pritjes për ngushëllim.

Gastronomisë do t’i lejohet puna deri në orën 21:00.

Operatorët e transportit publik lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50 për qind të kapacitetit të ulëseve.

Masat e miratuara sot në Qeveri do të hyjnë në fuqi nga 22 janari, ndërsa do të vlejnë deri më 4 shkurt 2022.

Ditëve të fundit ka pasur rritje të të infektuarve me COVID-19 në baza ditore. Vetëm sot janë regjistruar 2.943 raste të reja, duke e çuar në 12.396 numrin e rasteve aktive.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi