Qeveria: Javën tjetër ekzekutohet pagesa e dyfishtë e asistencës sociale për 26 mijë familje

Qeveria e Republikës së Kosovës ka njoftuar se të premten janë ekzekutuar shtesat për pensionistët nga pakoja mbështetëse e prezantuar javën e kaluar nga Qeveria.

Gjithashtu, përmes një publikimi në Facebook, Qeveria ka bërë të ditur se javën tjetër do të ekzekutohet pagesa e dyfishtë e asistencës sociale për 26 mijë familje dhe shtesat për punëtorët e sektorit publik.

Në këtë njoftim, Qeveria ka njoftuar se nga shtesat për pensionistët kanë përfituar 281 mijë e 88 qytetarë kurse nuk ka bërë të ditur se sa punëtorë të sektorit publik do të përfitojnë nga shtesat që do të dalin javën tjetër.

“Të premten janë ekzekutuar shtesat prej 100 euro për pensionmarrësit në Republikën e Kosovës nga pakoja mbështetëse prej 100 milionë euro për 800 mijë qytetarë. Javën tjetër do të ekzekutohet pagesa e dyfishtë e asistencës sociale për 26 mijë familje dhe shtesat për punëtorët e sektorit publik”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Qeveria Kurti më 12 prill kishte prezantuar masa të reja mbështetëse për disa kategori në Kosovë. Sipas kryeministrit Albin Kurti, Qeveria do të ndajë nga 100 euro për pensionistët, studentët dhe punëtorët e sektorit publik e privat.

Ko masë ishte kritikuar në masë të madhe nga opozita dhe qytetarët.

Kategoritë
LajmeVendi