Quni flet për deklaratën ku kishte thënë se do të qëndrojë në politikë derisa Thaçin e Veselin t’i sheh prapa grilave

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni ka thënë se është në pritje të epilogut sa i përket rastit të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit me Gjykatën Speciale, për të vendosur pastaj se a do të heq dorë nga politike siç kishte deklaruar sa ishte deputet i Kuvendit të Kosovës. Këtë Quni e tha pasi deputetja Ganimete Musliu i kujtoi atij deklaratën e bërë vite më parë se do të dalë nga skena politike pasi të shoh prapa grilave Thaçin dhe Veselin.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Musliu ka pyetur Qunin se kur do të jap dorëheqje, meqë siç tha ajo “misioni juaj politik është përmbushur”.

“Në mandatin e kaluar në këtë Kuvend ju u patët deklaruar se do të jepni dorëheqje nga politika në momentin që do t’i qoni në burg, Hashim Thaçin e Kadri Veselin, tani kur ata janë në burg, unë kisha dashtë të di kur do të jepni dorëheqje pasi është përmbushu misioni juaj politik”, tha ajo.

Ndërsa Quni, në përgjigjen e tij, tha se është në pritje të epilogut.

“Sa i përket deklaratës sime që pasi t’i shoh prapa grilave të apostrofuarit, presim epilogun, pastaj do të marrë vendim edhe unë”, tha ai.

“Z.Veseli, z.Thaçi, ju jeni arsyeja që më bëni të qëndroj në këtë parlament. Për të gjitha ato qe keni bërë po më detyroni të qëndroj derisa t’ju shoh prapa grilave”, kishte deklaruar Quni sa ishte deputet në Kuvendin e Kosovës.

Musliu ka pyetur Qunin edhe rreth një deklarate që ai ka bërë ditë më parë, pas deklarimeve të presidentit serb, ku ndër të tjera Quni kishte thënë: “Fare nuk jemi të interesuar për luftë, duam të jetojmë në paqe por nëse lufta është e pashmangshme ne si çdo herë do të fitojmë, mos e harroni ferrin e Koshares”.

Deputetja ka pyetur Qunin se në cilën cilësi e kishte dhënë një deklaratë tillë.

E sipas ministrit, ajo ka qenë deklaratë personale e tij, jo si ministër i Mbrojtjes dhe se i njëjti nuk ka qenë i nxitur nga ndonjë deklaratë.

“E kuptoj shqetësimin e juaj për deklaratën që e kam dhënë, besoj që përkundër asaj që unë jam ministër i Mbrojtjes nuk e humbi të drejtën të kem edhe qëndrime personale”, tha Quni.

Kategoritë
LajmeVendi