Quni flet për hapjen e arkivave të UÇK-së thotë se ekziston vetëm një arkivë

Deklarata e dhënë në konferencën për media nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi rreth pajtueshmërisë me Serbinë për hapjen e arkivave të luftës përshirë këtu edhe të UCK-së, ka ngritur reagime të shumta në opinionin publik,

“Pala serbe ka thënë se janë dakord që të hapen të gjitha arkivat. Të gjitha arkivat, sipas tyre nënkupton që edhe të hapen arkivat shtetërore të Kosovës që kanë të bëjnë me UÇK-në. Mendoj që kjo fillimisht është në interes tonë për arsye se shumica e varrezave masive ku pretendohet se janë pjesët e mbetura të mbi 1,600 qytetarëve ndodhen në këto varreza, për të cilat informata kanë kryesisht arkivat ushtarake të Serbisë”, kishte deklaruar Bislimi në konferencën për media.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe pjesëmarrësi në luftën e Koshares, Anton Quni në një deklaratë për Infosot.com thotë se Bislimi mund të mos ketë informacione të mjaftueshme se cfarë ka ndodhur në kohë lufte.

Ndërsa shton se gjatë kohës së luftës, ushtarët me gjasë kanë mbajtur shënime personale të cilat nuk janë të përmbledhura në arkivat e komandave.

“Zv/kryeministri Besnik Bislimi mbase nuk ka informacione të mjaftueshme se nuk ka ekzistuar në asnjë kohë dhe rrethanë ndonjë arkiv i centralizuar, i kategorizuar, apo i azhurnuar i UÇK-së. Me siguri që ushtaraket kanë mbajtur shënime personale që kryesisht permbajnë aktivitetet ditore, por ato nuk janë të permbledhura në arkivat e komandave apo shtabeve superiore. Gjatë fazave të çmilitarizimit të UÇK-së, nuk ishte pjesë e planit edhe arkivimi i dokumenteve, perveç shpërbërjes së njësive dhe deponimit të armatimit“ thotë Quni.

Ish-ministri i Mbrojtjes, thekson se me pranimin e Bislimit për të hapur arkiva të cilat nuk ekzistojnë është shuar shpresa për të mësuar për fatin e të zhdukurve.

“Tani, me marrjen e këtij obligimi nga ana e z. Bislimi, është krijuar opinioni dhe bindja se ekziston arkivi i UÇK-së, te cilin fakt pala serbe do të përpiqet t’a kapitalizojë me pretekstin se arkivat ekzistojnë, por ato nuk hapen sepse pala e Kosovës, nuk është e gatshme për të zbardhur fatin e të zhdukurve. Edhe ajo pak shpresë për të mësuar për fatin e të zhdukurve, tanimë është minuar.Sidoqoftë, ne duhet të bindim faktorin ndërkombëtar se forcat serbe ishin ato që në mënyrë sistematike dhe metodike ushtruan terror deri në përmasa të gjenocidit ndaj popullates civile shqiptare. Fshehja e krimeve të luftës, poashtu në menyrë të organizuar nga lart-poshtë, ishte vazhdimesi e krimeve më çnjerzore. Mos të harrohet defilimi i njësive speciale mbi kufomat e groposura në kazermën e Batajnices“.

Kandidati për kryetar të Prizenit, thekson se në Kosovë ekziston arkivi i gjallë i kujtimeve të martirëve të rënëve për liri dhe të dhunuarve.

“Ndërsa, tek ne ekziston vetëm një arkivë, është vetëm arkivi i gjallë i kujtimeve të familjarëve të martirëve, deshmorëve, të dhunuarve dhe të të shpërngulurve nga vatrat e tyre shekullore“ përfundon Anton Quni për Infosot.com

Kujtojmë se të martën dhe të mërkurën e kaluar Kosova dhe Serbia kanë mbajtur takime bilatrale dhe trilaterale në Bruksel, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Pas këtyre takimeve në Bruksel, zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi tha që pala serbe është dakorduar që të hapen të gjitha arkivat, duke përfshirë edhe arkivat e Kosovës për UÇK-n

Kategoritë
LajmeVendi