Rama dhe Vuçiq caktojnë datën dhe vendin për takimin e radhës në kuadër të “Open Ballkan”

Takimi i radhës në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur” do të mbahet në qershor në Ohër. Lajmin e bëri të ditur presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Përmes një postimi në Instagram, Vuçiq njoftoi se ka zhvilluar një takim virtual me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe atë maqedonas Dimitar Kovacevski.

Presidenti serb thotë se është rënë dakord të zhvillohet një panair kulinarie, duke theksuar se në Ohër do të nënshkruhet marrëveshja për bashkëpunim në fushën e kulturës dhe turizmit.

Një ditë më parë, Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos ia dha një “shuplakë” nismës së promovuar fuqimisht nga kryeministri Edi Rama, Ballkanit të Hapur.

Ajo u shpreh se Ballkani i Hapur është një nismë jashtë procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Santos theksoi se rruga më e mirë për Ballkanin është përmes partnerëve europianë dhe procesit të anëtarësimit.

Kategoritë
LajmeRajoni