Rama, mbrojtje Turqisë në median greke

Në një intervistë pë greken Ta Nea, kryeministri Rama avokoi Turqine nga pretendimi i Athinës, thënë së fundi nga ministri i Jashtëm Dendias, sipas së cilit, Ankaraja punon kundër integrimit të rajonit në BE.

Ndër të tjera, Rama foli pë raportet e Shqipërisë me dy vendet, si dhe mbi situatën në rajon, ngacmuar nga zhvillimet në Bosnje.

A jeni i shqetësuar për situatën në Ballkanin Perëndimor pas zhvillimeve në Maqedoninë e Veriut, por edhe për shkak të krizës në Bosnje? A ndani ju të njëjtin mendimin se Ballkani Perëndimor mund të jetë duke hyrë në një gjendje destabilizimi?

Nuk jam i shqetësuar për momentin sepse nuk mendoj se gjërat kanë arritur deri në atë pikë sa të kemi frikë nga destabilizimi. Njerëzit në Ballkanin Perëndimor e dijnë se destabilizimi nuk është i mirë për askënd, as për ata që sipas gjasave e synojnë  destabilizim. Megjithatë, ne nuk gjendemi në një fazë të mirë dhe këto nuk janë shenja të mira. Duhet të jemi të kujdesshëm.

Cilët nënkuptoni, se duhet të jenë të kujdesshëm?

Si faktorët politikë brenda Ballkanit Perëndimor ashtu edhe jashtë tij, në Bashkimin Evropian, duhet të jenë të kujdesshëm. Nuk duhet të nënvlerësojnë simptoma të këtij lloji.

A ekzistojnë shqetësime për përfshirjen e forcave të tjera dhe të Turqisë në rajon, të cilat po përpiqen të largojnë Ballkanin Perëndimor nga BE-ja?

Nuk jam në dijeni se ka ndonjë gjë që e lidh Turqinë me ndonjë formë apo trajtë destabilizimi.

Unë di se Turqia është një partner strategjik për Shqipërinë, siç është edhe Greqia, siç është edhe Italia. Turqia është një mik i ngushtë i Shqipërisë. Ne duam të forcojmë miqësinë tonë. Nuk shoh Turqinë të ketë një axhendë për të minuar kursin evropian të Ballkanit Perëndimor.

Kur ju vizitoi në shtator, presidentja e Komisionit Evropian tha se Shqipëria është gati të nisë negociatat e anëtarësimit, duke theksuar se kjo mund të bëhej deri në fund të vitit: Çfarë aspiratash keni pas Samitit të nivelit të lartë mes BE-së  dhe Ballkanit Perëndimor?

Nuk është hera e parë që dëgjoj parashikime të tilla nga zyrtarë të lartë në BE dhe nuk do të jetë hera e parë që ata nuk do të mund të mbajnë premtimet e tyre. Nuk pres asgjë. Mendoj se duhet të vazhdojmë ta bëjmë atë që bëjmë, sepse e bëjmë për ne, për fëmijët tanë, për Shqipërinë, jo për miqtë tanë në Bruksel ose për ata në kryeqytete të tjera.

Në Beograd keni pasur një takim me presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe me zëvendës presidentin e Maqedonisë së Veriut Nikola Dimitrov në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”. Deri në çfarë pike keni ecur në këtë nismë dhe çfarë diskutuat mbi situatën në Ballkanin Perëndimor?

Kemi bërë progres, por jo aq sa do të donim. Në takimin e radhës në Tiranë në dhjetor, do të kalojmë në disa objektiva që lidhen me  lirshmërinë e lëvizjes së produkteve. Për sa i përket situatës, jemi mësuar me situata të tilla, nuk është diçka e veçantë.

Greqia ka vendosur dy kushte shtesë në kuadër të procesit tuaj të anëtarësimit: ndryshimin e legjislacionit për regjistrimin e popullsisë, në mënyrë që të garantohet e drejta e vetëpërcaktimit së anëtarëve të minoritetit grek dhe e mbrojtjes së të drejtave të tyre pronësore. Cili është progresi i kryer për sa më sipër?

Nuk kemi pasur problemin e mbrojtjes së pronës së minoritetit grek në Shqipëri. Kemi pasur problem me mbrojtjen e të drejtave të pronësisë në përgjithësi. Minoriteti grek vuajti për shkak të këtij problemi, sikundërse gjithë të tjerët. Ne e kemi trajtuar këtë çështje përmes një legjislacioni të ri, po shohim rezultate pozitive dhe po vazhdojmë përpara përsa i përket kësaj çështjeje. Për çështjen e dytë kemi diskutuar me miqtë tanë grekë.

Greqia dhe Shqipëria kanë vendosur të referojnë delimitimin e Zonave Ekskluzive Ekonomike në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Cilat janë hapat e ardhshëm dhe në cilat fusha prisni bashkëpunim më të ngushtë mes dy vendeve?

Kemi rënë dakord t’i drejtohemi Gjykatës Ndërkombëtare, por gjetja e zgjidhjes ka mbetur ende pezull. Nuk është gjetur ende zgjidhje. Shpresojmë se do ta gjejmë.

Është e qartë se ka energji pozitive në marrëdhëniet tona, ka një predispozitë të mirë nga të dyja palët për ta zgjidhur çështjen në mënyrë të qartë, përmes përcjelljes në Hagë, duke treguar besim tek një palë e tretë. Është një arritje e madhe, por ende nuk e kemi gjetur zgjidhjen.

Jam më tepër optimist sesa isha përpara se të fillonim me kryeministrin z. Mitsotakis dhe me ministrin e jashtëm z. Dendias. Ata janë sinqerisht të gatshëm të vazhdojnë në këtë marrëdhënie, gjë që është e mirë për të dyja palët. Unë kam thënë që politika nga të dyja palët nuk ka arritur të ndjekë popujt, të cilët kanë marrëdhënie të mira.

Shqiptarët në Greqi janë integruar, flasin me punën e tyre dhe respektin ndaj vendit. E njëjta gjë edhe këtu, grekët që jetojnë këtu si qytetarë janë në shtëpinë e tyre.

Politika nuk ka arritur të sjellë marrëdhëniet mes dy vendeve në të njëjtin nivel. Këtë gjë duhet të bëjmë dhe mendoj se këtë synon edhe kryeministri grek dhe ministri i jashtëm.

Kategoritë
LajmeRajoni