Rama në Konferencën për Ndryshimet Klimatike: Shpresoj që të mbahen premtimet për mbështetje

Kryeministri Rama në fjalën e tij në këtë konferencë theksoi se prodhimi i energjisë në Shqipëri mbështetet te burimet e ripërtëritshme, 100 për qind hidrike dhe 0 për qind karburante fosile

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP26) në Glasgow të Skocisë, ka deklaruar se shpreson që do të mbahen premtimet për të mbështetur vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke nisur nga modele të energjisë së pastër, sipas tij, siç është Shqipëria, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për këtë mbështetje, Rama tha se, “Ky financim nuk duhet të vijë në formën e huave që i zënë vendet tona në grackën e ciklit të borxhit, por përmes granteve që na fuqizojnë të investojmë. Shpresoj që mbështetja nuk do të vazhdojë të nënkuptojë studime e strategji pa fund, ndikimi i të cilave është shumë herë më i ulët sesa kostoja që duhet për të paguar njerëzit nga vendet e pasura që i hartojnë ato”.

Kryeministri Rama në fjalën e tij në këtë konferencë theksoi se prodhimi i energjisë në Shqipëri mbështetet te burimet e ripërtëritshme, 100 për qind hidrike dhe 0 për qind karburante fosile.

“Ne mund t’i kishim pranuar të gjitha ofertat fitimprurëse që na janë bërë për vite me radhë për termocentrale me qymyr. Do të na kishin ndihmuar për të kompensuar sezonet tona të thatësirës, në një vend që mbështetet 100 për qind në fuqi hidrike. Kur mungesa e reshjeve na detyron të dalim në treg dhe të blejmë energji me kosto shumë të lartë nga të mëdhenjtë. Jam krenar që nuk e kemi bërë, por tani, vendi im i vogël sheh atë çfarë ndodh këtu, sesi ndotësit më të mëdhenj marrin racionet më të mëdha të parave, për të na ndihmuar ne të përballemi me ndryshimin klimës siç thonë”, u shpreh Rama.

“Nuk japim vetëm premtimin se do të përballemi me sfidën e përbashkët të angazhimeve të ndërmarra dhe objektivave të vendosura. Ne e bëjmë këtë”, u shpreh ndër të tjera Rama.

Më shumë se 25.000 delegatë nga 200 vende po marrin pjesë në konferencën në Glasgow që do të zgjasë disa ditë, me panele të shumta dhe takime, në të cilat do të kërkohet zgjidhje për të ulur nivelet e ngrohjes globale.

Kategoritë
LajmeRajoni