Rama në Përrenjas: Ne themi atë që bëjmë, kjo na ndan nga opozita

Ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi, përkundër opozitës që tjetër thotë e tjetër bën. Është kjo ndarja, sipas kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me të cilën u kërkoi votën banorëve të Përrenjasit, për të vijuar punët e nisura dhe investimet e mëdha.

“Secili ka një përgjegjësi që shkon përtej vetes të shohë se ku është Shqipëria sot dhe sa shumë është më e gatshme për t’u ngjitur shumë më lart. Është koha të shohë se nëse Shqipëria nuk ngjitet më lart dhe jeta e secilit nuk përmirësohet më shumë dhe lidhet me punët e mëdha që kemi nisur dhe një paketë investimesh të mëdha të huaja që tanimë pret vetëm kohën për t’u kthyer në realitet të prekshëm për të gjithë shqiptarët. Shumë njerëz thonë ç’na duhen aeroportet. Po shikoni Kroacinë, Greqinë e Turqinë. Dhe portet e aeroportet, investimet e mëdha që kemi nisur sjellin shumë më tepër lëvizje dhe lëvizja sjell shumë më tepër punë e angazhime. Ju dëgjoni që nuk janë të reja, nga ana tjetër ndarja është shumë e qartë, jo mes atyre që themi por mes atyre që tjetër thonë e tjetër bëjnë, dhe ata që thonë atë që bëjnë dhe bëjnë atë që thonë jemi ne, është Partia Socialiste e Shqipërisë”, tha Rama në takim me banorët e Përrenjas.

Sipas Ramës sot Shqipëria po kalon hendekun që hapi tërmeti dhe pandemia, ndërsa shtoi se sezoni turistik do të më i lehtë dhe me shumë të ardhura.

“Nuk jemi ende jashtë tunelit të pandemisë se drita në fund të tunelit po vjen duke u zmadhuar por akoma nuk kemi dalë nga tuneli. Kujt i shkonte mendja që sot ne do ndjeheshim më të lehtësuar dhe kur të tjerët po mbyllen ne shtymë edhe orën dhe kemi mundësinë ta shohim me shumë optimizëm të nesërmen duke filluar nga sezoni turistik që do të jetë më i lehtë me shumë të ardhura dhe punën për njerëzit tanë. Dua t’ju them se arsyeja pse jam këtu sot në këtë përballje dhe pse këmbëngul që ne duhet të vazhdojmë, është se dielli i Shqipërisë nuk është i bukur vetëm për turistët e huaj dhe një pjesë por mund të bëhet i bukur për të gjithë shqiptarët. Se po kalojmë hendekun që hapi mes nesh e së ardhmes tërmeti dhe pandemia. Të besojmë duke parë faktet dhe punët e hapura se shqiptarët do të fuqizohen ekonomikisht së bashku dhe secili. Sa shumë ka akoma për të bërë është koha që gjithësecili ta kthejë kokën pas dhe të shohë nga jemi nisur për të kuptuar nga jemi dhe për të besuar se rruga që kemi bërë nuk është e mjaftueshme, por është garanci”, potencoi Rama, shkruan A2.

Kreu i qeverisë premtoi se me qeverisjen socialiste Përrenjasi nesër do të jetë më i mirë se sot dhe ata që presin më shumë duhet ta garantojnë këtë, për të mos humbur ato që janë arritur.

“Përrenjasi është më i mirë se dje por nesër duhet të jetë më i mirë se sot. Prandaj jemi këtu. Kemi bërë shumë por ka shumë për të bërë, por mos harroni se ka shumë për të humbur. Ata që presin më shumë duhet të garantojnë që çka kemi bërë nuk do ta marrë lumi, që të këqijat nuk do kthehen përsëri në jetën tonë”, shtoi ai.

Kategoritë
LajmeRajoni