Ramazani në Ukrainë: agjërim nën armë!

Ashtu si të gjithë muslimanët në botë, edhe ata në Ukrainë, paçka luftës dhe ankthit prej saj, nisën të shtunën agjerimin e Muajit të Ramazanit. Presidenti Volodymyr Zelensky u përcolli urimin e rastit, duke thënë se ky muaj karakterizohet me lutje të sinqerta, falje reciproke dhe vepra të mira.

“Por në Ukrainë, shtohet edhe një virtyt tjetër – besnikëria ndaj bashkëluftëtarëve dhe njerëzve të tyre në beteja. Në betejat për lirinë e Ukrainës, në luftën tonë për pavarësi”, shtoi njeriu me origjinë hebreje, njëherësh një aktor profesion, i cili po udhëheq këtë vend në këtë moment të vështirë historik.

Edhe kryediplomati ukrainas, Dimtry Kuleba përcolli urimin e tij për Ramazan: “Uroj muslimanët e Ukrainës dhe botës fillimin e muajit të bekuar të Ramazanit. Këtë vit, vendi ynë e përjeton këtë muaj të bekuar në kushtet e luftës kundër pushtuesve rusë. Besoj se muslimanët e botës do të bashkohen në lutje për paqen e shumëpritur në Ukrainë”.

Duke iu drejtuar udhëheqësve arabë javën e kaluar, Presidenti Zelensky foli gjithashtu për mënyrën se si jetojnë muslimanët ukrainas në këto rrethana lufte.

“Ka më shumë se një milion muslimanë në vendin tonë. Raketat dhe bombat ruse janë një kërcënim vdekjeprurës për të gjithë njerëzit tanë. Ju lutemi shikoni qytetet e Ukrainës, të cilat ushtria ruse i shkatërron çdo ditë. Hidhini një sy qytetit tonë Mariupol. Të gjithë e pamë këtë në Aleppo. Rrënoja, dhimbje dhe vuajtje jerëzore.

Vetëm në një nga qytetet tona, në Mariupol, që ishte bllokuar nga trupat ruse, ishin rreth 4000 muslimanë. Prej tre javësh më shumë se 80 persona fshihen në xhaminë në Mariupol. Mes tyre ka gra, fëmijë, të moshuar. Të gjitha rrugët për në qytet janë të mbyllura. Trupat ruse nuk lejojnë as furnizime humanitare atje, ushqim, ujë, ilaçe. Nuk ka asgjë. 90 për qind e të gjitha ndërtesave në Mariupol u shkatërruan. Mijëra vdesin…

Por Rusia nuk është dënuar për këtë, ashtu siç nuk është dënuar për atë që bëri pas pushtimit të Krimesë. Dhe atje represioni rus ka për qëllim pikërisht pjesën muslimane të popullsisë së gadishullit”, tha Zelensky. /tesheshi.com/

Kategoritë
BotaLajme