Raport: Diskriminimi ndaj muslimanëve në SHBA u rrit me 9 për qind në vitin 2021

Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islame ka pranuar 6.720 ankesa në mbarë vendin vitin e kaluar.

Diskriminimi kundër muslimanëve në SHBA u rrit me 9 për qind në vitin 2021 krahasuar me vitin e mëparshëm, tregoi një raport i publikuar Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islame (CAIR).

Zyrtarë të Këshillit, grup musliman për të drejtat civile, mbajtën një konferencë shtypi për të publikuar gjetjet e raportit të titulluar “Ende i dyshuar: Ndikimi i islamofobisë strukturore”.

Sipas raportit, CAIR ka pranuar 6.720 ankesa në mbarë vendin vitin e kaluar, që përfshinin një sërë çështjesh, si imigrimin, diskriminim në udhëtime, kërkesa të tepruara nga autoritetet dhe zbatuesit e ligjit, incidente të urrejtjes dhe paragjykimeve, të drejtat e kujdestarisë, incidente në shkollë dhe incidente të shprehjes së lirë.

“Ky përfaqëson numrin më të madh të rasteve të raportuara në CAIR në 27 vjet. Ky moment historik është alarmant”, tha Drejtori Ekzekutiv Kombëtar i CAIR-it, Nihad Awad, në konferencën për shtyp.

Awad vuri në dukje se raporti flet vetë, duke shtuar se “Islamofobia është strukturore dhe e thellë në shoqërinë tonë”.

“Islamofobia është bërë e zakonshme në Amerikë. Ajo u fut në institucionet qeveritare dhe sferën publike përmes ligjeve, politikave, retorikës politike dhe manifestimeve të tjera”, shtoi ai.

Grupi ka marrë 2.823 ankesa lidhur me imigracionin dhe udhëtimin, 745 ankesa për diskriminim në vendin e punës, 553 ankesa për refuzim të strehimit publik, 679 ankesa në lidhje me zbatimin e ligjit dhe autoritetet, 308 ankesa lidhur me incidentet e urrejtjes dhe paragjykimit, 278 ankesa për të drejtat e të burgosurve, 177 ankesa për incidente në shkollë, 56 ankesa për fjalën e lirë dhe 1.101 ankesa të përgjithshme.

Raporti zbuloi se ka pasur një rritje prej 55 për qind në ankesat në lidhje me zbatimin e ligjit dhe autoritetet në vitin 2021, si dhe rritje me 28 për qind në incidentet e urrejtjes dhe paragjykimeve, që përfshinin heqjen me forcë të hixhabit, ngacmimet, vandalizmin dhe sulmet fizike.

Awad beson se qeveria amerikane mund të jetë pjesë e zgjidhjes në frenimin e islamofobisë.

“Ne i kërkojmë Kongresit sot të miratojë legjislacionin që fondet federale për agjencitë vendore të zbatimit të ligjit të kushtohen për ato agjenci që dokumentojnë dhe raportojnë krimet e urrejtjes në bazën e të dhënave kombëtare të FBI-së. Kjo do të mundësonte një nismë që ligjzbatuesit lokalë të marrin seriozisht kërcënimin e islamofobisë”, shtoi ai.

Kategoritë
BotaLajme