Raport: Ligjvënësit amerikanë ndezin dritën e gjelbër për shitjen e avionëve “F-16” Turqisë

Një grup ligjvënësish amerikanë të rëndësishëm në largimin e Turqisë nga programi “F-35” deklaruan për gazetën “Defense News” se janë të gatshëm të miratojnë shitjen.

Sipas një raporti të botuar të enjten, ligjvënësit kryesorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për blerjen e dhjetëra avionëve luftarakë “F-16” nga Turqia kanë treguar se janë të hapur ndaj shitjes.

Çështja është komplikuar nga blerja e sistemit të avancuar kundërajror rus “S-400” nga Ankaraja, gjë që ka çuar në një fërkim të vazhdueshëm me Uashingtonin, me këtë të fundit që vendosi sanksione kundër Turqisë dhe përjashtimin e saj nga Programi i Avionit Sulmues të Përbashkët “F-35” (JSF).

“Disa ligjvënës kryesorë”, të cilët luajtën rol të rëndësishëm në largimin e Turqisë nga programi “F-35”, deklaruan për uebfaqen e gazetës “Defense News” se tani janë të prirë të miratojnë shitjen e rreth 40 gjuajtësve “F-16” dhe 80 kompleteve për të modernizuar flotën ekzistuese të Forcave Ajrore të Turqisë.

Administrata Joe Biden sinjalizoi më parë miratimin e saj për shitjen në një letër të zbuluar në Kongres.

“Ne duhet të flasim dhe të punojmë me Turqinë dhe të tjerët që po punojnë me ne kundër Rusisë. Ata (turqit) kanë bërë disa lëvizje në drejtimin e duhur. Megjithatë ka gjëra të tjera, për të cilat ne ende duhet të punojmë me Turqinë, disa gjëra që ende na irritojnë ndonjëherë”, tha për “Defense News” kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Gregory Meeks, një ligjvënës demokrat.

“Kam biseduar me disa nga palët e përfshira në këtë çështje”, tha për “Defense News” senatori James Risch, republikani më i lartë i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit.

“Turqit kanë bërë një argument të besueshëm se pse duhet të marrin avionë «F-16». Unë jam i prirë pozitivisht në atë drejtim, edhe pse ende nuk jam plotësisht atje”, shtoi ai.

Hapja e dukshme dypartiake ndaj marrëveshjes vjen pasi Kongresi dhe administrata kanë lavdëruar përpjekjet diplomatike të Turqisë me Rusinë dhe dhënien e armatimeve shumë të nevojshme për Kievin gjatë sulmit të vazhdueshëm të Moskës ndaj fqinjit të saj evropianolindor.

“Ne presim që Turqia të vazhdojë të qëndrojë me aleatët e saj të NATO-s, të cilët janë në harmoni për mbështetjen e Ukrainës ndërsa ajo mbron atdheun e saj”, tha zyra e kongresmenit Mike McCaul, republikani më i lartë në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

“Gjithashtu ne presim që në rast se administrata kërkon autorizimin e Kongresit për këtë shitje, Turqia do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në konflikt, por gjithashtu do të trajtojë shqetësimet për rolin e Turqisë në konflikte të tjera globale”, shtoi ai.

Qeveria turke e bëri kërkesën në tetor (2021) dhe ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, tha më 8 prill se bisedimet “po përparonin pozitivisht”.

Kryetari i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, Adam Smith, një demokrat kyç, pohoi “nevojën për të gjetur një mënyrë” për rivendosjen e marrëdhënieve dypalëshe me Ankaranë.

“Presidenti është ndoshta njeriu i duhur për sa u takon përpjekjeve të tij për ta balancuar marrëdhënien. Është e vështirë, sepse (blerja nga Ankaraja e sistemit kundërajror rus) «S-400» e ndërlikoi marrëdhënien tonë në shumë mënyra, por nuk është një marrëdhënie nga e cila mund të largohemi”, potencoi ai.

Administrata e SHBA-së e ka sinjalizuar në disa raste hapjen e saj ndaj shitjes, përfshi këtu edhe sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, i cili tha të enjten e kaluar se shitjet e huaja ushtarake ndaj partnerëve kryesorë të SHBA, siç është Turqia, duhet të përshpejtohen dhe pengesat burokratike të hiqen.

I pyetur gjatë dëshmisë në Kongres nga deputeti Joe Wilson, përfaqësues për distriktin e 2-të kongresional të Karolinës së Jugut, se “çfarë mund të bëjë administrata Biden për të shkurtuar burokracinë për të ndihmuar punën me aleatë si Turqia dhe India”, Antony Blinken pohoi se proceset duhet të përshpejtohen si në nivelin ekzekutiv ashtu edhe në atë të Kongresit.

“Unë mendoj që ne mund dhe duhet të bëjmë më mirë në shitje, veçanërisht në shpejtësinë me të cilën ne jemi në gjendje t’i bëjmë dhe t’i rishikojmë gjërat. Mendoj se kjo varet nga ne në pushtetin ekzekutiv, por gjithashtu nga Kongresi në pushtetin legjislativ”, i tha ai Komisionit për Ndarjet Buxhetore të Dhomës së Përfaqësuesve.

Naz Durakoglu, zyrtarja më e lartë e Departamentit të Shtetit për Çështjet Legjislative, deklaroi se shitja e aeroplanëve “F-16” Turqisë do t’i shërbente interesave të SHBA-së dhe do të forconte unitetin e NATO-s.

Ajo pranoi tensionet e vazhdueshme mbi shitjet shtesë të armëve në Turqi në një letër drejtuar kongresmenit Frank Pallone muajin e kaluar, por mbrojti idenë se sanksionet dhe heqja e Turqisë nga programi i avionëve luftarakë “F-35” përfaqësojnë “një çmim të konsiderueshëm të paguar” për blerjen e sistemit rus të mbrojtjes raketore “S-400”.

“Administrata beson se megjithatë ekzistojnë interesa të unitetit dhe aftësive të aleancës afatgjatë të NATO-s, si dhe të sigurisë kombëtare, interesa ekonomike e tregtare të SHBA-së që mbështeten nga lidhje të përshtatshme tregtare të mbrojtjes së SHBA-së me Turqinë”, i shkroi Durakoglu kongresistit Pallone, i cili drejton Komitetin e Energjisë dhe Tregtisë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Durakoglu po ashtu tërhoqi vëmendjen mbi kontributet aktive të Turqisë në NATO dhe mbi mbështetjen e saj për “integritetin territorial të Ukrainës dhe marrëdhëniet bashkëpunuese të mbrojtjes”, ndërsa i quajti ato “një pengesë e rëndësishme kundër ndikimit keqdashës në rajon”.

Kategoritë
BotaLajme