“Raportimet se Dick Marty është cak për ekzekutim nga shërbimet sekrete serbe, orkestrim për njollosjen e UÇK-së”

Çitaku konsideron se kjo situatë është një shkëndijë fillestare për Kosovën dhe BE-në për të pyetur se cilat kanë qenë rrethanat që kanë nxitur Marty-n që të hetojë pretendimet e fabrikuara nga shërbimi sekret serb dhe ai rus

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, në emër të partisë, ka reaguar lidhur me raportimet e fundit për planifikimin e ekzekutimit të ish-senatorit zviceran Dick Marty nga “shërbimet sekrete serbe”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media, Çitaku tha se kjo tendencë e Marty-t i cili deklaroi së fundmi se po kërcënohet nga “elemente radikale serbe” që të ekzekutohet dhe më pas faji për vrasjen e tij t’u lihet shqiptarëve në Zvicër, rikonfirmon faktin që Serbia po përpiqet edhe më tej ta njollosë të vërtetën për Kosovën dhe UÇK-në.

Çitaku shtoi se edhe më shqetësuese në këtë rast, është vërtetimi i manipulimit që i është bërë ish-senatorit Marty nga shërbimet sekrete serbe, të cilat e kanë furnizuar atë me informata të fabrikuara dhe dosje të prodhuara në kabinetet politike të Beogradit dhe Moskës, mbi bazën e të cilave më vonë u ngrit Gjykata Speciale.

“Nëse një orkestrim për eliminim fizik të Marty-t nga shërbimet sekrete serbe është evident, vetëm me qëllim që të përpiqen të njollosin edhe më tej të vërtetën tonë, është krejt e vërtetuar se një orkestrim për njollosjen e luftës së UÇK-së nga po të njëjtat struktura dhe e njëjta mendësi, përmes senatorit Marty ka qenë axhendë e mirë organizuar dhe e qëllimshme, e cila s’ka pasur të bëjë asgjë as me të vërtetën, as me drejtësinë”, theksoi Çitaku.

Çitaku konsideron se kjo situatë e krijuar, është një shkëndijë fillestare për Kosovën dhe Bashkimin Evropian (BE) për të pyetur se cilat kanë qenë rrethanat që kanë nxitur apo detyruar Marty-n që të hetojë pretendimet e fabrikuara nga shërbimi sekret serb dhe ai rus për trafikimin e organeve nga UÇK-ja, kush dhe cilat shërbime sekrete i kanë dhënë Marty-t dëshmi e prova dhe a ka qenë i kërcënuar apo shantazhuar atëherë.

Tutje, Çitaku ka thënë se tërë kjo çështje e cila vë në pikëpyetje vërtetësinë e aktakuzave të ngritura ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së të cilët po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, do të duhej të prodhonte reflektim edhe tek institucionet e Kosovës, të cilat pas raportimit të ish-senatorit, ende nuk kanë reaguar.

“Nuk është fjala për çështje historike, politike, e identitare. Fjala është për bazën mbi të cilën janë ngritur akuza konkrete. Dhe kjo bazë, e ka një adresë në Beograd e një në Moskë. E ka një procedurë, shantazhin. Si dhe një qëllim, dëmtimin e imazhit të Kosovës”, theksoi Çitaku e cila shtoi se përballë këtyre ngjarjeve që demaskojnë përpjekjet serbe kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, integrimit dhe konsolidimit të shtetit “duhet ta mbrojmë Kosovën”.

Ish-raportuesi në Asamblenë e Këshillit e Evropës, Dick Marty në një intervistë të publikuar së fundmi ka deklaruar se ka 16 muaj që është duke u mbrojtur nga policia zvicerane në shtëpinë e tij, deri në atë pikë sa edhe kur del jashtë shtëpisë është i detyruar të mbaj jelek anti-plumb, ndërkaq vetura e tij është e blinduar dhe e shoqëruar me mjete policie. Ai tha se është i kërcënuar me vdekje nga “elementë radikalë të shërbimit të inteligjencës serbe” dhe sipas tij vrasësit më pas do t’i fajësonin kosovarët për këtë krim.

Ish-senatori Dick Marty në vitin 2011 e publikoi një raport në të cilin ai pretendonte se disa pjesëtarë të UÇK-së kishin kryer krime gjatë dhe pas luftës në Kosovë, ndërsa në bazë të këtij raporti më pas u formua Gjykata Speciale, ku po gjykohen aktualisht tetë ish-krerë të UÇK-së.

Kategoritë
LajmeVendi