Raportoi rrejshëm tentim vrasjen, hetimi zbardh diçka tjetër

Një 48 vjeçar me inicialet A. B, ishte raportuar se është plagosur në lagjen e Xhamisë në Drenas, por pas hetimeve del se ai në lokalin e tij, me armë zjarri, aksidentalisht kishte plagosur vetveten në këmbën e djathtë.

Më pas po i njëjti i ndihmuar edhe nga dy persona të tjerë, ka paraqitur rrethana të rrejshme lidhur me ngjarjen.

Sipas Policisë, pas informatës policia kishte filluar një hetim lidhur me rastin me qëllim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes.

“Që në fazën e hetimit preliminar, hetuesit policor kishin ngritur dyshimet lidhur me versionin e paraqitur, andaj kishin zgjeruar rrethin e veprimeve hetimore të cilat sot rezultuan me zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Kësisoj policia ka ngritur versionin e hetimit se A. B, mashkull, 48 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, në lokalin e tij, me armë zjarri, aksidentalisht kishte plagosur vetveten në këmbën e djathtë. Më pas po i njëjti i ndihmuar edhe nga dy persona të tjerë, ka paraqitur rrethana të rrejshme lidhur me ngjarjen. Pjesë e veprimeve për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes ka qenë edhe gjetja dhe sekuestrimi i armës që dyshohet të jetë arma e shkrepur në rast Revole e tipit ZORAKI, kalibri 7.65mm, si dhe pesë copë fishek”, thuhet në njoftimin e policisë.

Pas nxjerrjes në pah të rrethanave të reja të ngjarjes, në koordinim me prokurorin e shtetit është ricilësuar rasti nga “Vrasje në Tentativë” në “Mbajtje në pronësi , kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”.

Kategoritë
LajmeVendi