Rashiti: Kërkesa e Serbisë në dialog, autonomi të territoreve të banuara me serbë

Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është kërkesa publike e Serbisë në raport me marrëveshjen finale në dialogun Kosovë-Serbi, por kërkesa reale përfshin një “autonomi sa më të madhe”, thotë Naim Rashiti, drejtor i Grupit të Ballkanit, i cili merret me hulumtimin e politikave.

Rashiti në një intervistë për Radion Evropa e Lirë po ashtu paralajmëron për publikimin e “non-paper” të ri dhe thotë se kjo do të ndodhë sepse “ka rritje intensive të procesit të pavarësimit të Republikës Serbe” në Bosnje e Hercegovinë. Sipas tij, “ambiciet e akterëve të fuqishëm nacionalistë, janë rritur në Ballkan”.

Së fundmi, Grupi i Ballkanit ka angazhuar ekspertë të jashtëm për të asistuar Qeverinë e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.

Ai tha se Qeveria aktuale duhet të ndërtojë agjenda pro-aktive me institucionet e BE-së dhe vendet anëtare të BE-së, paralelisht krahas dialogut, pa e ngadalësuar apo tjetërsuar dialogun, por duke shtyrë të gjitha agjendat në mënyrë paralele.

Rashiti ka folur edhe rreth “non-paper”.

“Ballkani Perëndimor është bërë konflikt i ngrirë dhe çështja e kufijve nuk flitet për shkak të çështjes së Kosovës apo të çështjeve të dialogut Kosovë-Serbi. Çështja e kufijve vjen kryesisht, ekskluzivisht nga çështja e Bosnjës dhe nga qarqet që kanë interes për zgjerim të ndikimit në Ballkan.

Dokumenti, ‘non-paperi’ i parë, i artikuluar të jetë slloven, nuk ka lidhje me Slloveninë, është dokument i artikuluar nga qarqe të tjera: Bosnja, Republika Serbe, Hungaria dhe Rusia.

Kjo mbetet e pazgjidhur. Ballkani Perëndimor trajtohet si çështje e pazgjidhur ose konflikt i ngrirë, pothuajse. Derisa të mos ketë zgjidhje, do të ketë debate të tilla dhe ka tentativa, ka ambicie, ka beteja për rritje të kontrollit”, tha Rashiti.

 

 

Kategoritë
LajmeVendi