Ratifikohet marrëveshja Shqipëri-Turqi në fushën e shëndetësisë

Sipas marrëveshjes, Turqia merr përsipër t’i dhurojë Shqipërisë një spital me 150 shtretër që po ndërtohet në Fier, dhe pajisjet mjekësore, materialet dhe orenditë për t’u përdorur në këtë spital

Kuvendi i Shqipërisë ka ratifikuar projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë mbi dhurimin në fushën e shëndetësisë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas diskutimeve në seancën parlamentare, marrëveshja e cila ka në fokus spitalin rajonal të Fierit që po ndërtohet me mbështetjen financiare të Turqisë u miratua me 99 vota pro, 5 kundër dhe 4 abstenim.

Gjatë fjalës në seancën plenare, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se spitali i ri i Fierit do të jetë një strukturë moderne.

“Spitali rajonal në Fier do të vendosë një gur kilometrik për ndërtimin e një mënyre krejt të re të menaxhimit spitalor në vend, që do të vlerësojë mjekët sipas punës me modelin e autonomisë spitalore. Spitali i ri i Fierit do të jetë një strukturë moderne, pjesë e shërbimit spitalor publik, si një pol i shërbimit të integruar shëndetësor dhe një qendër e transferimit të dijeve kërkimore dhe ndërhyrjeve me teknologji të lartë”, u shpreh Manastirliu.

Ajo tha se ky spital do të administrohet dhe menaxhohet nga një ekip i përbashkët shqiptar dhe turk dhe do të ketë të punësuar rreth 380 personel shëndetësor dhe të shërbimeve mbështetëse.

Manastirliu theksoi se ky spital do të jetë një model i ri, koncepti i të cilit sipas saj do të shënojë hapat e parë drejt një epoke të re në administrimin e spitaleve në Shqipëri dhe në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Deputetit i partisë në pushtet, Partisë Socialiste të Shqipërisë, Florenc Spaho, gjatë fjalës në seancë tha se spitali i Fierit do të ndërtohet me të gjitha standardet bashkëkohore, me kushte dhe pajisje moderne.

“Një investim kaq i rëndësishëm na vjen pikërisht nga shteti turk, një shtet që gjithmonë na ka mbështetur dhe na ka ndihmuar në momente të vështira. Midis shteteve tona ka një miqësi dhe vëllazëri të konsoliduar ndër vite. Dëshmia është suporti i vazhdueshëm i qeverisë turke, por edhe mbështetja në rang ndërkombëtar. Turqia është jo vetëm një nga aleatët tanë më të mirë, më besnik dhe më strategjik, por gjithashtu midis popujve tanë ka një lidhje kulturore dhe vëllazërore. Dua të falënderoj qeverinë turke dhe presidentin Erdoğan për ndihmat e pakushtëzuara që i bën shtetit tonë”, u shpreh Spaho.

Deputeti Spaho tha se spitali i ri i Fierit është një investim tepër i rëndësishëm në fushën e shëndetësisë dhe sipas tij do të ofrojë shërbim spitalor të kualifikuar.

Pas dekretimit nga ana e presidentit Ilir Meta, projektligji në fjalë hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Sipas marrëveshjes e cila është nënshkruar më 02 shkurt 2021, nga zëvendësministri turk i Shëndetësisë, Halil Eldemir dhe ambasadori i Shqipërisë në Ankara, Kastriot Robo, Turqia merr përsipër t’i dhurojë Shqipërisë një spital me 150 shtretër që po ndërtohet në Fier, dhe pajisjet mjekësore, materialet dhe orenditë për t’u përdorur në këtë spital.

Sipas marrëveshjes, ky donacion jepet nga pala turke në mënyrë që të forcojë sistemin shëndetësor shqiptar dhe të mbështesë infrastrukturën e kujdesit shëndetësor. Në këtë kontekst, Turqia do të caktojë personelin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri gjatë fazës së tranzicionit të spitalit rajonal të Fierit dhe do të ofrojë këshillim përmes Ministrisë së Shëndetësisë.

Kujtojmë se ndërtimin e një spitali në Fier e premtoi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, gjatë vizitës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Turqi dhe punimet po realizohen nga kompania YDA Group.

Kategoritë
LajmeRajoni